E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli - Merrni kartat e identitetit, po afron koha e sanksioneve

Paralajmërimi ka ardhur nga Ministria e Brendshme. Qytetarët mund të gjenden para surprizave të pakëndshme kur s’do të mund të marrin pagat e pensionet, prandaj edhe duhet të shpejtojnë në zyrat e gjendjeve civile për të nisur procedurat për marrjen e kartave të identitetit


Tashmë s’ka më kohë për t’u matur se mos autoritetet qeveritare do të vënë në zbatim koncesione të tjera që qytetarët shqiptarë të paraqiten për të marrë kartat e identitetit. Përkundrazi, shteti, sipas edhe rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare e ka kryer misionin e vet, bile tani ka ardhur koha e sanksioneve. Ministria e Brendshme paralajmëron qytetarët se nuk do të përfitojnë asnjë shërbim nga institucionet shtetërore nëse nuk paisen me kartat e identitetit. Zëdhënësi i kësaj ministrie Fatmir Konja i ka ftuar edhe një herë qytetarët të aplikojnë për kartat e identitetit. “Ministria e Brendshme rikujton edhe njëherë se letërnjoftimi elektronik është një dokument që nuk vlen vetëm për zgjedhjet parlametare të qershorit, por edhe për të marrë shërbimet e institucioneve shtetërore. Mospasja e kartës së identitetit do të krijojë pamundësinë e marrjes së këtyre shërbimeve për pensionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët e tjerë” tha Konja. Zëdhënësi i këtij dikasteri ka publikuar me shifra ecurine e procesit dhe ka rikujtuar se tashmë qytetarët mund të aplikojnë njëkohësisht edhe për pasaportat biometrike. “Deri në datën 26 Mars 2009 kanë aplikuar 350 mijë shtetas, ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të të Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti” tha Konja. Ndonëse paisjet me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike janë një kusht për zgjedhjet vlera e tyre shkon shumë më tej se ky proces.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›