E Diel, 1 Nëntor 2026

BE nis nga arsimi

Akademia Evropiane kërkon projekte nga shkollarët shqiptarë. Kush fiton, çmim special në Austri dhe mundësi studimi në këtë vend

Anëtarësimi i mundshëm i Shqipërisë në Bashkimin Evropian apo në strukturat euroatlantike, kërkon edhe një përvetësim të mirë të njohurive mbi organizmat ku kërkojmë të aderojmë. Dhe këtë përvetësim njohurish më mirë se kushdo mund ta bëjnë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme. Ky ka qenë edhe shkaku që ACES (Academy of Central European Schools), projekt i fondacionit austriak “ERSTE foundation”, ka ftuar shkollat e interesuara të konkurrojnë me projekte me temë “Të mësojmë të jetojmë së bashku: Dialogu ndërkulturor në Evropë”.  Sipas Sektorit të Jashtëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, projekti ACES synon të nxisë partneritetin midis shkollave nëpërmjet aplikimit dhe konkurrimit me projekte për tema që lidhen me vlerat dhe zhvillimet evropiane. Objektivi i përgjithshëm i projektit është promovimi i këtyre vlerave në shkolla, me fokus të veçantë në çështje të integrimit evropian, dialogut ndërkulturor, traditave dhe vlerave të përbashkëta etj. Ai synon të nxisë shkollat të përfshihen në nisma ndërkombëtare, duke mundësuar kështu një dialog të qëndrueshëm midis të rinjve. Aplikimi për konkursin është i hapur nga data 1 shkurt 2008 deri në 30 prill 2008, i cili është dhe afati i fundit për dorëzimin e projekteve. Shkollat e interesuara që konkurrojnë me projekte, duhet të identifikojnë një ose dy shkolla partnere nga vendet partnere në projekt. Në faqen e internetit të ACES është vendosur një listë me shkolla nga të gjithë vendet anëtare, të gatshëm për të realizuar projekte të përbashkëta me shkolla të tjera. Pra, nxënësit dhe mësuesit duhet të hyjnë në faqen e internetit dhe të zgjedhin një ose dy shkolla që janë në listë. Ata mund të krijojnë marrëdhënie edhe me shkolla të tjera nga këto vende që nuk figurojnë në listë, por me të cilat kanë marrëdhënie. Menjëherë pas zgjedhjes së shkollës ose shkollave partnere, nxënësit të ndihmuar nga një ose dy mësues, vendosin kontaktet me ta dhe përgatisin projektin për një temë që ata vendosin bashkërisht, gjithnjë në kuadër të temës së përgjithshme “Të mësojmë të jetojmë së bashku: Dialogu ndërkulturor në Evropë”. Ata mund të gjejnë në faqen e internetit të ACES të gjitha temat e projekteve fituese të vitit të shkuar. P.sh., projekti fitues i fazës pilot kishte temën: “Rinia e sotme evropiane”. Pasi shkollat vendosin për temën dhe aktivitetet që do të zhvillojnë së bashku në kuadër të projektit, nxënësit plotësojnë në anglisht formularin e aplikimit, të cilin duhet ta dërgojnë me e-mail vetëm në adresën tine.gamper@iz.or.at. Projektet shqyrtohen nga një komision përzgjedhës me përfaqësues të Ministrive të Arsimit të të gjithë vendeve. Projektet e përzgjedhura nga ACES fitojnë një fond të caktuar, të cilin mund ta përdorin për një sërë aktivitetesh të përbashkëta, si shkëmbime mësuesish dhe nxënësish, ekspozita, vizita të siteve kulturore të vendeve reciproke, përgatitje CD, DVD etj. Pasi shpallen projektet fituese, ACES organizon në Austri në fund të shtatorit 2008 një takim, ku fton përfaqësues të nxënësve dhe mësuesve të shkollave të përzgjedhura për të hedhur bazat e fillimit të punës së projektit. Që nga ky takim, nxënësit dhe mësuesit kanë në dispozicion 9 muaj për të kryer aktivitetet e parashikuara në projekt, si vizitat, shkëmbimet, ekspozitat etj. Pas 9 muajsh punë, ACES-i zhvillon sërish në Austri takimin e ndarjes së çmimeve, ku një juri vlerëson me çmime speciale projektet më të suksesshme. Të gjithë shpenzimet e projektit dhe të pjesëmarrjes në dy ceremonitë në Austri mbulohen nga “ERSTE foundation”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›