E pastër si Hana
Elvana Hana
Mbyllet krejtësisht dosja hetimore në ngarkim të drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana
TIRANË - Hetimi i nisur kryesisht nga Prokuroria e Tiranës, nxjerr krejtësisht “të pastër” drejtoreshën e Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hanën, e cila i mbylli tërësisht hesapet me drejtësinë. Pas rreth gjashtë muajsh hetime intensive, sektori i “Task Force” vendosi pushimin e çështjes, pasi nga verifikimet e kryera nuk u evidentua asnjë shkelje nga drejtoresha e ISKSH-së. Vendimi i pushimit të çështjes u firmos pak ditë më parë nga drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, i cili është bindur nga provat dhe arsyetimi i prokurorit që investigoi çështjen mbi katër pretendime të bëra publike nga një e përditshme. Lajmi bëhet i ditur për “Korrierin” nga burime pranë “Task Force”, të cilat thanë se nuk është gjetur asnjë abuzim për çështjet e hetuara në bazë të shkrimeve të një të përditshmeje. Akuzat për tenderin “Blerje shtypshkrime të mjekut”, ajo për favorizimin e grosistëve të ilaçeve, lidhja e marrëveshjes me bankën ku bashkëshorti i saj është një ndër drejtuesit apo dhe akuza për blerje të disa automjeteve në rrethe, sipas prokurorisë, janë evidentuar me imtësi dhe rezultoi se e vetmja mospërputhje mes çmimit dhe automjetit është një rast në qytetin e Sarandës, i cili do të hetohet nga prokuroria e këtij rrethi. Duke iu referuar vendimit të pushimit të çështjes, rezulton se tenderi “Blerje shtypshkrime të mjekut”, për të cilin e përditshmja pretendoi se Elvana Hana ka abuzuar, rezulton se ai është hapur dhe është pezulluar po nga drejtoresha e ISKSH-së. Vetë Elvana Hana gjatë dëshmisë së saj në prokurori tha se pezullimi i tenderit është bërë për mungesë dokumentacioni nga firmat pjesëmarrëse. Ky pretendim është verifikuar në terren nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët duke iu referuar edhe dokumentacionit të sekuestruar arritën në përfundimin se tenderi është anulluar duke mos pasur asnjë lëvrim fondi, çka nuk lë vend as për abuzime. Për akuzën e dytë që bëhej në media, atë të favorizimit të grosistëve të ilaçeve, prokuroria konkludoi se Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor nuk ka asnjë marrëdhënie me këtë kategori. Duke iu referuar praktikave ligjore, sipas prokurorisë, rezultoi se ky institucion mban lidhje dhe ka në varësi vetëm farmacitë që kanë kontratë me të, duke shmangur çdo lloj marrëdhënieje me grosistët. Ndërsa për akuzën e lidhjes së ISKSH-së me bankën, ku bashkëshorti i Elvana Hanës thuhet në të përditshmen se është aksioner, prokuroria tha se “nga verifikimi rezultoi se një kontratë e tillë ekziston, por nuk është lidhur nga drejtoresha. Një kontratë e tillë është lidhur nga paraardhësit e saj dhe kjo vërtetohet nga dokumentacioni që kemi në dispozicion”. I vetmi rast ku dyshohet të jenë kryer abuzime, është drejtoria e qytetit të Sarandës, e cila ka blerë një automjet që nuk ka vlerën e shumës së akorduar. Prokuroria e Tiranës e kaloi për kompetencë prokurorisë përkatëse këtë çështje, duke i dhënë fund kështu hetimit të ISKSH-së dhe drejtoreshës së këtij institucioni, e cila për muaj me radhë u vu në qendër të akuzave nga një e përditshme.