S'ka bojkot
Paskal Milo
Partite e vogla nisin te reflektojne deri ne çfare shkalle do ta çojne rezistencën e tyre kunder sistemit te ri zgjedhor
Partitë e vogla nuk do ta bojkotojnë procesin zgjedhor të 2009-ës, nëse të mëdhenjtë arrijnë të miratojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor pa pëlqimin e aleatëve. Shumica e “të vegjëlve” i thanë dje “Korrierit”, se do të jenë pjesë e procesit zgjedhor, ndonëse rregullat e lojës mund të vendosen nga të mëdhenjtë, ndërsa shtojnë se aleanca aktuale mes të vegjëlve do të jetë e pranishme kundër PS-së dhe PD-së në garën elektorale të 2009-ës. Lëvizja Socialiste për Integrim shpreson në unitetin aktual të “të vegjëlve” vitin e ardhshëm, nëse të mëdhenjtë do të kryejnë reformën zgjedhore pa marrë pëlqimin e aleatëve. “Nuk besoj të arrijnë t’i miratojnë ndryshimet, pasi do të shkojmë në referendum. Ju pyesni nëse nuk do ta fitojmë referendumin. Gjithsesi, ne nuk do të bojkotojmë zgjedhjet, por do të lëmë të bashkohet PD-ja me PS-së bashkë. Ne në zgjedhje do të hyjmë. S’ka bojkot. Megjithëse ka edhe një vit e gjysmë, akoma besoj se ne do të jemi si koalicion kundër PS-së e PD-së”, - deklaroi Spartak Braho i LSI-së. Të njëjtin qëndrim, madje pak më ashpër, mban edhe Neritan Ceka. Presidenti i PAD-së, madje mendon për një triumf të “të vegjëlve” në 2009-ën. “Jo, s’ka asnjë alternativë bojkoti. Në komisionin parlamentar do të jemi kundër sistemit të deformuar, më të deformuar se “Dushku”, sidomos sistemi “Haxhi Qamil”, vorio-epirot dhe spanjoll. Ndryshimet janë antikushtetuese dhe e përçajnë Shqipërinë në zona që sjellin hijen e së shkuarës. “Spanjolli” i tyre në disa zona e ka pragun nga 2.5 për qind që është aktualisht, në 25 për qind. Do t’i përballim edhe po i bënë ndryshimet, e kështu do të pësojnë disfatë në zgjedhje. Veçanërisht PS-ja, që është ideatore e këtij sistemi. Do të shkojmë të gjithë si koalicion e do ta pësojë PS-ja”, - deklaron Ceka. Edhe aleati tjetër i socialistëve shprehet se opsioni “bojkot” as që mund të zihet në gojë. “Ne nuk besoj se do shkojmë kaq larg, siç kanë shkuar partitë e mëdha me bojkot. Jemi qytetarë dhe jo provincialë inatçorë si dy të mëdhenjtë në të shkuarën”, - deklaron Milo. Ndërkohë, një nga aleatët e PD-së, demokristianët, nuk preferojnë të bëjnë parashikime. “S’ka me sikur. PDK-ja i merr vendimet kur të jetë përpara faktit të kryer”, - thotë kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Arian Starova i Liberal-Demokratëve as që e diskuton hyrjen në zgjedhje. “Ne në zgjedhje do të hyjmë dhe do të bëjmë atë që nuk e kemi bërë ndonjëherë. Ju thoni se, nëse ndonjë aleat devijon “të mëdhenjtë”, do të mund të miratojnë ndryshimet. Por kush do të jetë aleati? Varet çfarë ndryshimesh mund të jenë. Nëse do të vazhdojnë me proporcionalin rajonal, asnjë nga ne nuk është i interesuar e kjo s’mund të ndodhë. Mbetet për t’u parë propozimi konkret. Gjithësi, çfarëdo që të ndodhë, ne në zgjedhje do të hyjmë”, - u shpreh Starova. Ashtu siç shprehet edhe Starova, “të vegjlit” duket se mund të bëjnë ndonjë tolerim ndaj të mëdhenjve, por në varësi të negociatave. Gjithsesi, duket se të gjithë janë në një mendje kundër proporcionalit rajonal, por mund të bëjnë tolerime gjatë negociatave. saqellari@korrieri.com