E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani shkatërron Tiranën

Të kuqtë mundën Tiranën 4-1 duke ndjerë më shumë se kurrë aromën e titullit, ndonëse janë 3 pikë pas Dinamos. Xhani: 30 000 dollarë shpërblim, plus 1 mijë Devollit, Osmanit

TIRANË – Mbrëmja e djeshme ishte, padyshim, më e lumtura e Albert Xhanit si president i Partizanit. Madje më shumë se në maj të 2004-ës kur ekipi i tij fitoi atë kupë të Shqipërisë (aq shumë të përfolur si të falur) ndaj Dinamos. Skuadra e ndërtuar prej tij arriti fitoren më të thellë ndaj “armikut të përjetshëm” Tiranës, madje jo vetëm më të thellën në presidencën e tij, por prej 34 vjetësh. 4-1 mbaroi derbi për të kuqtë që triumfuan me lojë dhe mund të shënonin edhe më shumë se aq. “Jemi rritur në krahasim me vjet”, thoshte trajneri Lika në nisje të kampionatit. Skuadra e tij ia bëri të vërtetë pohimin. Partizani është rritur, ngjan një skuadër e vërtetë, më e mira e momentit në kampionat. Me Shehin, Osmanin, Pinarin, Dhëmbin, Muzakën, Devollin, Shkëmbin, Bakajn, Abilaliajn janë realiteti më i bukur i një stine të mërzitshme futbolli në Shqipëri. Partizani shënoi në nisje të të dyja pjesëve, në minutën e 4-ët dhe të 47-të, përkatësisht me Osmanin dhe Shkëmbin. Në mes të dy golave korçarë realizoi Bledar Devolli, një nga më të mirët në fushë së bashku me Elis Bakajn, njeriu që mbuloi nga afër Klodian Duron e Tiranës. Indrit Fortuzi i dha pak shpresë kampionëve kur duheshin edhe 30 minuta duke ndezur tifozët e zjarrtë, por ishte e kotë. Ekipi i Likës ishte më i fortë, nuk e pati problem jo vetëm të kontrollonte lojën, por edhe të shtonte edhe një gol shumë të bukur, me aksion ajror Bakaj-Abilaliaj-Bakaj-Abilaliaj. Ishte minuta e 71-të dhe Partizani sikur nuk deshi të shënonte më shumë. Xhani: 30 000 USD shpërblim, plus 2 Një formulë interesante e përzgjedhur nga presidenti i të kuqve. “Keni 30 000 dollarë shpërblim për këtë fitore, - u tha ai lojtarëve në dhomat e zhveshjes, - madje nga një mijë dollarë plus për ty Devolli dhe ty Osmani”. Devolli mbuloi nga afër yllin e bardhebluve dhe të kombëtares, Klodian Duro, që doli me karton të kuq në fund të takimit. “Nuk mendonim kaq thellë” Përsa i përket rezultatit, Xhani u tregua modest. “E prisnim të fitonim, por jo me këtë rezultat sepse ishte ndeshje derbi, ndeshje speciale”. Ai nuk deshi të ulte meritat në vazhdimësi të ekipit të tij, duke pohuar se edhe në të kaluarën të kuqtë kishin luajtur ndeshje shumë të mira, “por kjo është e e veçantë sepse u arrit ndaj Tiranës”. Sul Mema: Do largoj 2-3 futbollistë Ruajti një kërcënim të rëndë pas humbjes më të rëndë në karrierë, trajneri i Tiranës, Sulejman Mema. “Kam nxjerrë përfundimet e mia nga kjo ndeshje, - tha ai, - dhe do të shikoni veprimet e mia shumë shpejt në të ardhmen”. I pyetur nga gazetarët se çfarë veprimesh ishin ato, Mema nuk ngurroi të thoshte se “nuk mund të lejojmë që Tiranën ta mbajnë peng 2-3 lojtarë, të cilët unë do t’i largoj”. Por Mema nuk pranoi të bënte publikë emrat, ndonëse ftoi gazetarët ta gjenin vetë “fjalëkryqin” duke u shprehur se “ju e patë vetë se disa lojtarë nuk zbatuan detyrat që ishin dhënë”. Lika: Favoritë? Të ruhemi nga euforia “E dinim se ishim mirë dhe se mund të fitonim”. Këto ishin fjalët që hapën konferencën për shtyp të trajnerit të Partizanit. “Natyrisht luajtëm nj ndeshje shumë të mirë, një nga më të mirat e kampionatit dhe fituam me meritë, - vazhdoi ai, - pavarësisht se para takimit ishim të kujdesshëm duke pasur përballë Tiranën”. “A jemi ne favoritë ndaj Dinamos? – u përgjigj ai me pyetje, - jemi në formë shumë të mirë, ishte e rëndësishme të fitonim me Tiranën pas suksesit me Dinamon, megjithatë kampionati ka edhe 11 javë dhe ne duhet t’i ruhemi euforisë”. Triumfi që pritej prej 34 vjetësh Hera e fundit që Partizani e kishte mundur rivalin me tre gola diferencë ndodhi në sezonin 1973-1974, kur pas barazimit 1-1, të kuqtë fituan 3-0. Tifozët pritën 34 vjet për një kënaqësi të tillë, ndërsa fitore me më shumë gola dallim janë arritur për herë të fundit në ’62-’63 kur Partizani i fitoi të dyja ndeshjet 4-0. Gjithashtu kjo ishte fitorja e parë e ekipit të Xhanit në 7 ndeshjet e fundit, prej 1-0 të ‘05-’06, kur shënoi Abilaliaj, vlonjati që realizoi edhe mbrëmë. Tifozët, ekstazë dhe sherr Tifozët e “Demave të Kuq” nuk kanë ngurruar ta presin për minuta e minuta të tëra autobusin me idhujt e tyre të parakalonte në sheshin “Nënë Tereza” para “Qemal Stafës”. Të rreshtuar tek Kolonat përballë stadiumit, me dhjetëra e dhjetëra tifozë u ngjirën së thirruri e kënduari, porse një sherr krejt i kotë ndodhi në pistën e “Qemal Stafës”, ndërsa dritat e stadiumit u fikën. Ndërsa tifozët po hiqnin parullat, ata u përzienë nga të dy krahët dhe nuk munguan të sharat, por edhe veprimet me duar e shkelma. Drejtoria e stadiumit rindezi dritat, në nervozizëm e sipër dhe policia pati mundësi të qetësonte gjendjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›