E Diel, 1 Nëntor 2026

Na jepni tokë që t'ju njohim

Maqedonia po kërkon të zgjerojë kufijtë e saj me territore të Kosovës në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj.

Maqedonia u është drejtuar institucioneve kompetente të Kosovës, me qëllim që të fillojë procesi për demarkacionin e linjës së përbashkët kufitare, në pajtim me Marrëveshjen Ndërkombëtare të vitit 2001. Qeveria e Maqedonisë ende e pret përgjigjen, ndërsa masat që do të ndërmerren dhe politika që do të zhvillohet do të bazohet në interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase. “Do të merren parasysh interesat e qytetarëve të Maqedonisë, jo sipas recetave që ofron opozita maqedonase. Përkundrazi, politika e jashtme zhvillohet më me përgjegjësi”, deklaroi dje në një konferencë për shtyp zëdhënësi i qeverisë, Ivica Bocevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e qeverisë lidhur me rekomandimet e opozitës, që së pari të shënohet kufiri e më pas të njihet pavarësia e Kosovës. Liderja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, deklaroi se demarkacioni kufitar me Kosovën është në interes jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të rajonit. Ajo theksoi se “Maqedonia duhet të insistojë menjëherë për demarkacionin”. Ndërsa pak ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, theksoi qartë qëndrimin e qeverisë kosovare sa i përket demarkacionit. “Është e udhës që Maqedonia fillimisht ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, pastaj sipas asaj që është parashikuar në planin e Ahtisarit, përfaqësues të të dy vendeve, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, të vendosin për vijën e demarkacionit”, u shpreh Kuqi. Qëndrim pothuajse të ngjashëm kanë edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni. Ato vlerësojnë se njohja e shtetit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt dhe pa kushte. Territori i Kosovës është i pandashëm Në një zhvillim tjetër, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe aleatët e saj thanë se janë të vendosur në qëndrimet e tyre për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha dje, se në Kosovë nuk do të lejohet dhunë në asnjë rast, por do të respektohet lëvizja e lirë e të gjithë qytetarëve, në çdo pjesë të territorit të Kosovës. Sa i përket integritetit territorial, Thaçi u shpreh se territori i Kosovës është i paprekshëm, unik dhe i pandashëm. Kryeministri kosovar dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Kosovën, Piter Feith, ritheksuan se vendet kryesore të Bashkimit Evropian së bashku me SHBA-të nuk do të tolerojnë ndarjen e vendit. Gjithashtu, edhe KFOR-i disa herë ka përsëritur se siguria e qytetarëve të Kosovës dhe kufijtë e saj janë të garantuar. “Mesazhi është se grupi për Kosovën nuk do ta lejojë ndarjen, pasi ajo nuk parashihet për këtë vend dhe ndarja nuk do të pranohet nga ne”, tha Feith, duke shtuar se kjo është një vijë e kuqe që nuk mund të tolerohet në asnjë formë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›