E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nëntin e ruan Perëndia

Aksidentohet tjetër minator në Bulqizë. Shpëton për fat ai që mund të ishte viktima e 9 brenda vitit

BULQIZË - Veçse Perëndia e ruajti minatorin Esat Dedja, që të mos ishte dje viktima e nëntë e bukës së përditshme në minierën e Bulqizës gjatë 15 muajve të fundit. Dedja u aksidentua dje rreth mesditës në minierën e Bulqizës. Minatori 43-vjeçar u plagos në nivelin e 14-të të galerive nëntokësore, pas shembjes së një masivi minerali, që gati i zuri gjysmën e trupit babait të 8 fëmijëve. Bashkim Snalla me detyrën zjarrmëtar dhe Subi Alla, teknik së bashku me Esat Dedjën, kanë hyrë dje në nivelin 14-të të minierës, ku do të kryenin edhe disa shpërthime për të avancuar edhe punimet më në thellësi. Sipas Snallës dhe Allës, “pasi kemi kontrolluar traversën e parë me leva, jemi futur më në thellësi për të kontrolluar edhe një traversë tjetër. Në këtë moment shkëputet një masiv minerali, duke i rënë Esatit në krahun e djathtë dhe duke e përplasur në dyshemenë e galerisë”. Ndihma e parë e dhënë nga dy shokët që ishin bashkë me të në vendin e aksidentit, si dhe ndihma e marrë në spitalin e Bulqizës bënë të mundur që të paktën deri tani Esat Dedja të jetë ende gjallë, megjithëse gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë. Pasi u nxor në thellësitë e minierës, Esat Dedja fillimisht u dërgua në spitalin e qytetit, por për shkak të mungesës së një mjeku ortoped dhe të gjendjes së rëndë në cilën ai ndodhej, minatori u dërgua me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Në drejtim të Bulqizës, miniera e së cilës “po i ha” punonjësit e saj si mos më keq gjatë muajve të fundit, u dërgua dhe një helikopter për të marrë të plagosurin, por helikopteri nuk u ul dot, për shkak të mjegullës së dendur. Sipas burime spitalore të Bulqizës, minatori u nis për në Spitalin Ushtarak të Tiranës rreth orës 15:00. Në minierën e Bulqizës, për një vit e tre muaj kanë humbur jetën tetë minatorë. I fundit që humbi jetë në galerinë e nivelit të gjashtë ishte Njazi Jalliu, 50 vjeç, nga Bulqiza. Vetëm dy ditë më përpara, një ekip specialistësh nga ana e Ministrisë së Ekonomisë kreu një kontroll në minierën e Bulqizës, duke lënë edhe detyrat përkatëse për të përmirësuar kushtet e punës së minatorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›