E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, notë proteste Serbisë nga sjellja e Jeremiçit

 

Bashkimi Evropian pritet t’i dorëzojë një note proteste Serbisë nëpërmjet kanaleve diplomatike, për shkak të sjelljes përbuzëse dhe aspak korrekte të shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç ndaj shefit të zyrës së BE-së në Beograd, Piter Sorensen. Lajmin e ka publikuar gazeta “Dnevnik” e Novi Sadit, duke u mbështetur në burime diplomatike në BE. Nota e protestës do të dërgohet gjatë ditëve të ardhshme dhe do t’i dorëzohet ose shefit të Misionit të Serbisë pranë BE-së në Bruksel, ose direkt Ministrisë së Jashtme në Beograd. Robert Kuper, Drejtori i Përgjithshëm për Politikën e Jashtme e të sigurisë i BE dhe bashkëpunëtor i ngushtë i përfaqësuesit të lartë të BE, Havier Solana, e ka njoftuar të premten në mbrëmje në Bruksel Komitetin Politik e të Sigurisë të BE mbi incidentin ku rolin kryesor e ka pasur ministri Jeremiç. Përfaqësuesit e disa shteteve të BE kanë reaguar ashpër, ndërsa shumica ka shfaqur keqardhje. Pritet që në takimin e shefave të diplomacive të BE-së të hënën, në Bruksel, të deklarohen edhe qëndrimet e përkufizuara saktë të anëtarë të BE-së mbi këtë incident. “Shefi i diplomacisë serbe e ka poshtëruar shefin e zyrës së BE-së në Beograd i cili i përgjigjet direkt përfaqësuesit të lartë të BE, Havier Solanës, pasi në mënyrë arrogante nuk e ka lejuar të flas gjatë takimit ku ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i posaçëm i KB për Kosovën Lamberto Zanijeri, duke e injoruar hapur Sorensenin”, citon gazeta “Dnevnik”. Në Bruksel kjo interpretohet si demonstrim i Beogradit zyrtar, që mbi Kosovën bisedon vetëm me përfaqësuesit e KB, dhe jo Misionin EULEX në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›