E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, drejtuesit e minierave kundër urdhrit të ministrit Ruli

 

BULQIZE - Mbyllja e 22 subjekteve minerare me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli ka sjellë reagimin e subjekteve të licencuara dhe minatorëve që kanë dalë të papunë. Drejtuesit ligjorë e kundërshtojnë urdhrin, duke argumentuar se ishte kjo ministri që i licencoi ata, ndërkohë punëtorët e nëntokës shprehen se tani janë të detyruar të marrin gjithçka me listë. “Ne, - thonë drejtues të firmave private të kromit,- jemi me gjithçka në rregull. Kemi aplikuar për licencë dhe ajo na është dhënë konform të gjitha kritereve të paracaktuara nga METE. Herë pas here kemi pasur kontrolle për sigurinë në punë dhe kushtet e tjera që ne kemi marrë përsipër. Paguajmë normalisht të gjitha detyrimet fiskale dhe kryejmë kështu një veprimtari të ligjshme e korrekte”. Sipas tyre, Ruli duhet të mbyllte me të gjitha mënyrat galeritë e paligjshme, sepse ato jo vetëm kanë vjedhur kromin e minierës kryesore në zonën D, por janë pikërisht këto subjekte pirate që kanë krijuar probleme të shumta. “Të fortët e Bulqizës vazhdojnë punën dhe askush nuk guxon të merret me ta, ndërkohë Genc Ruli jep një urdhër që bie ndesh me kontratën e nënshkruar mes firmave private dhe METE, pohojnë drejtuesit e firmave të licencuara”, shprehen ata. Një problem më vete është nxjerrja në rrugë e më shumë se 120 minatorëve, të cilët si burim të vetëm të ardhurash kishin punën në këto miniera private.                       h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›