Vetëvritet i kërkuari për pengmarrje
GJIROKASTER
Vetëvritet i shumëkërkuari nga policia e Gjirokastrës. Adriatik Skënderi, 34 vjeç nga fshati Lazarat i dha fund jetës në orët e para të së dielës, me një kallashnikov.Një breshëri plumbash të shkrehura në intervale të shkurtra kohore, kanë përshkuar trupin e viktimës, i cili ndonëse u çua me urgjencë në spitalin rajonal të Gjirokastrës nga familjarët e tij, nuk arriti dot t’i shpëtonte vdekjes. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur në banesën e të riut në fshatin Lazarat gjatë momentit kur të gjithë pjesëtarët e familjes ishin në gjumë. Vetëm një prej vëllezërve të tij, i cili ndjeu hapat e të vëllait në oborr, u bë kureshtar duke dalë jashtë dhe për rrjedhojë të jetë dëshmitari i vetëm i ngjarjes së rëndë familjare. Skënderi ka marrë automatikun fillimisht dhe ia ka drejtuar vetes, duke gjuajtur në drejtim të gjoksit dhe pas shkrehjes së parë mes dy vëllezërve është zhvilluar një përleshje trup më trup për të shmangur goditjet e tjera vdekjeprurëse. Nga kjo përleshje, i vëllai i tij D. Skënderi u plagos lehtë në krahë, çka i la udhë të lirë viktimës të çonte deri në fund misionin veteliminues që kishte ndërmarrë. Sipas familjarëve të së ndjerit 34-vjeçari ka ekzekutuar veten nën efektet e një doze të konsiderueshme të alkoolit, që e kishte konsumuar përgjatë ditës së djeshme. Mësohet se Adriatik Skënderi prej kohësh po përjetonte një gjendje tejet të rënduar psikologjike dhe shkak ka qenë qenia e tij si person në kërkim nga ana e organeve policore. Sipas burimeve, viktima ishte shpallur person në kërkim prej disa muajsh pasi kishte marrë peng një person, në fshatin Valare, katër km në lindje të qytetit të Gjirokastrës. Skënderi akuzohet për pengmarrjen e ndodhur në tetor të vitit të shkuar, arsyet e së cilës ende nuk janë bërë publike. Pas denoncimit të pengut, policia u vu në ndjekje të 34-vjeçarit, i cili ndonëse kishte marrë informacion se policia e kërkonte nuk mori iniciativën të vetëdorëzohej tek organet policore. Heqje e lirisë së tjetrit është vepra penale e formuluar nga policia që bënte fajtor Skënderin për aktin e kryer tetorin e kaluar. Gjatë këqyrjes së trupit të pajetë, në morgun e spitalit të Gjirokastrës, ekspertët e kriminalistikës kanë konkluduar se viktima ka marrë një sasi plumbash në trup, të cilat i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Policia lokale po vazhdon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në vetëvrasje, si dhe sekuestrimin e armës dhe provave të tjera materiale ndërkohë që dosja është dorëzuar në organin e akuzës për veprime të mëtejshme. Pas mjekimit të marrë në spitalin e Gjirokastrës, vëllai i viktimës është rikthyer në shtëpi, për të marrë pjesë në përcjelljen e Adriatikut në banesën e fundit.