E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, qyteti vuan në të ftohtë kufizimet e energjisë

 

DURRES - Akull dhe terr. Ky është përkufizimi i asaj se çfarë po ngjet në qytetin bregdetar. Durrësi po përballet jo vetëm me acarin e këtyre ditëve të shkurtit, por edhe me kufizime të shpeshta të energjisë elektrike. Kjo është një situatë e njohur për ditët e fundit të muajit, pasi Qarku ka një kuotë limit të furnizimit, e cila nuk duhet kaluar kurrsesi, pavarësisht se qyteti është një ndër arkëtuesit më të rregullt në OSSH. Ndërprerjet e energjisë “maskohen” sikur të ishin remonte apo riparime defektesh. “Marr në telefon centralin dhe më thonë se nuk ka kufizim, por defekt. Ndërkohë që punonjësit më qetësojnë disi duke më thënë ekzaktësisht se në orën 13:30 do të vijnë dritat. Ashtu ngjet vërtet. Logjika është e thjeshtë, dihet që janë kufizime, pasi nëse ndodh defekt askush nuk e di me saktësi se sa kohë kërkon për t’u riparuar”, thotë një banor i lagjes 18 të Durrësit. Kjo është një situatë që përsëritet në Durrës, sa herë që hyn 10-ditëshi i fundit i muajit. Burimet saktësojnë se në nivel Qarku, Durrësi nuk duhet të shpenzojë më shumë se 50 milionë kilovat/orë në muaj, pasi ky është “tavani” i vënë nga korporata. Për të qenë “sa më të saktë” në respektimin e kësaj shifre hyn në fuqi formula e konsumuar tashmë e kufizimeve. Në shumë zona të Durrësit, duke filluar nga lagjet rezidenciale, e deri tek skutat më të harruara të periferisë kanë nisur të ndihen kufizimet që variojnë 2-4 orë në ditë. Në kushte të tjera ky do të ishte një orar “normal” kufizimesh, pasi durrsakëve u është “regjur” lëkura nga mungesa e dritave, por kur liqenet e hidrocentraleve tona janë në prag të derdhjes nga prurjet e shumta të lumenjve atëherë situate duket më se absurde. Por veç konsumatorit familjar këtë situatë po e vuajnë edhe bizneset. Të gjithë ato që kanë një bar, një eurolloto, një piceri, një byrektore etj., detyrohen të ndezin gjeneratorët. Por edhe këto të fundit po i nënshtrohen “kufizimeve” për shkak të çmimit të lartë të karburantit në tregun shqiptar.               o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›