Prishtina: Në arrest zyrtarët serbë që do të hyjnë pa leje
Qeveria e Kosovës është zotuar se do të urdhërojë arrestimin e të gjithë atyre personave, që tentojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës me shoqërues të armatosur, pa marrë më parë lejen paraprake nga ekzekutivi kosovar. Kjo i referohet edhe zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, të cilët, nëse në të ardhmen tentojnë të hyjnë në territorin e Kosovës pa marrë lejen paraprake nga Qeveria e Kosovës, do të trajtohen sikurse qytetarët e zakonshëm. Deklarata është bërë nga përfaqësues të institucioneve kosovare, të cilët thonë se zyrtarëve serbë nuk do t’u garantohet eskorta përcjellëse, nëse ata tentojnë të hyjnë në Kosovë me persona të armatosur. Deri tani, delegacionet ndërkombëtare, gjatë qëndrimit të tyre, janë përcjellë nga Policia e Kosovës dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës thonë se një gjë e tillë nuk do të vlejë dhe për përfaqësuesit e shtetit serb, nëse këta të fundit nuk kanë lejen e Qeverisë kosovare. Vendimi nisi pas ngjarjes së të premtes, kur ekzekutivi kosovar ia kishte ndaluar ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç hyrjen në territorin e Kosovës për të vizituar Mitrovicën. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, e argumentoi vendimin me armatosjen e shoqëruesve të ministri serb, Bogdanoviç. Ai tha se edhe në të ardhmen do të veprohet njësoj. “Çdo person i armatosur që tenton të hyjë në Kosovë pa lejen e organeve tona, do të trajtohet në përputhje me ligjin”, tha Pajaziti. Ndërkohë qeveria serbe ka këmbëngulur se për vizitat e ardhshme të udhëheqësve politikë të Serbisë në Kosovë nuk do të pyetet fare Qeveria e Kosovës, e cila, sipas zyrtarëve serbë, nuk është autoritet përgjegjës për këtë gjë. Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se vizitat e ardhshme vetëm do të paralajmërohen dhe se do të kërkohet një përcjellje për eskortat diplomatike serbe vetëm nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, apo ai i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit. “Ne kurrë nuk do të kërkojmë leje nga Qeveria e Kosovës për një gjë të tillë. Zakonisht, ministrat, zëvendësministrat, eventualisht Presidenti apo Kryeministri, kur duan të vizitojnë Kosovën, e paralajmërojnë një gjë të tillë tek autoritetet përgjegjëse. Ne konsiderojmë se autoritet përgjegjës është vetëm UNMIK-u dhe ndoshta në të ardhmen dhe EULEX-i. Por, ne kurrë nuk do të kërkojmë lejen e autoriteteve kosovare”, tha Ivanoviç. Policia e Kosovës, ndërkohë, zotohet të arrestojë të gjithë personat që tentojnë të shkelin tokën e Kosovës në formë të armatosur dhe pa pëlqimin e autoriteteve kosovare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, thotë se institucioni që ai udhëheq, nuk do të lejojë të ndodhin shkelje të tilla të ligjit.
Vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë ishin të shpeshta gjatë vitit të kaluar dhe institucionet kosovare i kanë cilësuar si negative, për shkak të ndikimit manipulues mbi banorët serbë të Kosovës. (REL)