E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE pa konsensus për Kosovën

Një nga pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, pritet të heqë dorë nga pozicioni refuzues. Sinjalizimet për një hap të tillë janë dhënë në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, të hënën në Bruksel. Burime për median kosovare thonë se vendimi do të bëhet publik brenda pak ditësh.

Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja janë pesë nga njëzet e shtatë anëtarët e Bashkimit Europian që nuk kanë pranuar të njohin Kosovën. Secila nga to ka dhënë arsye të ndryshme për këtë qëndrim. Pozicioni i tyre vazhdon të jetë pengesë për institucionet e BE-së që ta trajtojnë Kosovën si shtet. Për këtë arsye Bashkimi Europian ende nuk ka arritur konsensus lidhur me Kosovën. Këtë nuk ka mundur ta bëjë as të hënën, në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, ku janë shprehur qëndrime edhe rreth opinionit këshillues rreth GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Nga takimi i tyre i parë që nga marrja e kryesimit të BE’së nga Belgjika, nuk ka pasur as konkluzione për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ministrat kanë dhënë deklarata të ndryshme për gazetarë, shumica e të cilëve kanë mbështetur qëndrimin e Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, e cila për vendimin e GJND-së ka folur në emër të BE-së e sërish ka bërë thirrje për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur gatishmërinë e BE-së që të lehtësojë këtë proces. Ashton ka thënë se lidhur me dialogun ka biseduar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Boris Tadic.

Kreu i diplomacisë italiane, Franco Frattini ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për shumë çështje, por jo edhe për statusin politik të Kosovës. Sipas Fratinit Serbia dhe Kosova duhet të përfshihen në një dialog të sinqertë dhe transparent, që megjithatë nuk përfshin statusin.

Delina Bitraku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›