BE, presion Greqisë për deficitin. Athina: Do të bëjmë gjithçka për ta ulur
Greqia është zotuar dje që të bëjë gjithë sa është e mundur për të mbajtur në kontroll deficitin buxhetor që ka kapur shifra jashtëzakonisht shqetësuese. Ndërkaq, partnerët europianë i kanë bërë një presion shumë të madh Athinës dhe e kanë kërcënuar për marrjen e masave të ashpra, për shkak të shifrave më të ulëta në këtë dhjetëvjeçar. Greqia është përballur me një kritikë të ashpër në lidhje me besueshmërinë dhe rritjen e kostove të huamarrjes, që kur qeveria socialiste bëri të ditur se deficiti ishte dyfish më i madh se parashikimi i bërë në fillim të vitit dhe këtë vit do të jetë 12.7% të GDP-së. "Ne duhet që të punojmë shumë për të fituar besueshmëri dhe për të mbijetuar si një komb sovran dhe koheziv", ka deklaruar dje Kryeministri grek, Papandreu, në një mbledhje të kabinetit qeveritar. "Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka për të kontrolluar deficitin e madh", ka vazhduar Kryeministri. Indeksi i bursës së Athinës ka rënë me 6%, duke reduktuar vlerën e aksioneve me 16% brenda një periudhe 6-ditore. Humbjet kanë ndodhur edhe për shkak të paqartësisë dhe frikës që i ka kapur investitorët dhe paaftësisë së qeverisë për të mbështetur bankat. Greqia po lufton me një borxh që pritet të shndërrohet në më të madhin e vendeve të eurozonës vitin e ardhshëm. Partnerët europianë i kanë bërë presion Athinës gjithë këto ditë për të vendosur rregull në shtëpi. Ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde, tha se ajo nuk mendonte se Greqia do të falimentonte, por ajo duhet që të bënte një përpjekje shumë të madhe që të "pastronte" financat publike. "Ne ministrat europianë të Financave i kemi kërkuar kolegut tonë grek që të ndërtojë një plan efikas për të ribalancuar financat publike. Ne të gjithë jemi duke pritur prej tij atë për të cilën na është zotuar dhe të cilat duhet t‘i mbajë". Ministri gjerman i Financave tha se nuk kishte arsye që të dyshohej për Greqinë. Ndërkaq, ministri i Financave të Greqisë, Papakonstantinou, rikonfirmoi zotimin e tij për të reduktuar deficitin buxhetor dhe tha se Greqia nuk është as Islandë as Dubai. Ne jemi një shtet që ka trashëguar një situatë financiare shumë serioze dhe që ndërkohë po merr të gjitha masat për ta kaluar.