E Shtunë, 31 Tetor 2026

Racizmi në Europë, në përmasa "tronditëse"

Nuk ka rëndësi se çfarë kërkojnë: një punë, një vizitë mjekësore, apo edhe thjesht të blejnë diçka, sepse ajo me të cilën përballen minoritetet e Europës është diskriminimi. Të paktën kjo është e dhëna e fundit e Agjencisë për të Drejtat Themelore të Bashkimit Europian. Përmes një gjuhe që nuk ndeshet shumë shpesh në raportet e agjencive të BE-së, agjencia e sipërpërmendur e konsideron si "tronditës" racizmin gjithnjë e në rritje, frymën antiemigrant dhe islamofobinë, me të cilën përballen shumë pakica në Europë në jetën e tyre të përditshme. Ky është raporti i parë i agjencisë dhe tenton që të bëjë një vështrim të përgjithshëm të situatës së diskriminimit në të gjitha vendet e BE-së përmes një studimi prej 276 faqesh të kryer mbi 23 mijë individë. Në të del në pah se rreth një e pesta e afrikanëve të Saharasë janë diskriminuar, ndërsa për sa u përket romëve, ata thonë se e kanë pësuar në kurriz një diferencim të vazhdueshëm në të gjithë sektorët e jetës. Të njëjtin mendim kanë edhe afrikanët e tjerë, 11% e të cilëve kanë qenë pre e këtij fenomeni përjashtues, madje edhe qoftë kur kanë hyrë në një dyqan. Por shtrirja e saktë e racizmit dhe formave të tjera të diskriminimit racor pritet që të shtohet, ndërsa njerëzit dhe organizatat politike mundohen që t‘ua adresojnë problemet e bashkëjetesës të tjerëve. Studimi i bazuar edhe në shumë sondazhe ka përdorur metoda të reja pyetjesh dhe është përqendruar në situatat e diskriminimit në 9 fusha të ndryshme të jetës së përditshme: kërkimi i vendeve të punës, kërkimi i banesave, vajtja në spitale për vizita, apo shtrime, regjistrimi në shkolla e deri te futja nëpër restorante, bare e dyqane. Prej tij doli se ndërsa minoritetet zakonisht akuzohen për të gjitha aktivitetet kriminale që ndodhin ato përballen vazhdimisht edhe vetë me krimin dhe janë viktimë të tij. Rreth 4% e minoriteteve janë prekur prej tij gjatë 12 muajve të fundit. Një tjetër gjetje është mungesa e besimit që ata kanë tek organet e rendit dhe te vullneti apo predispozita e tyre për t‘ua zgjidhur hallet. Pjesa më e madhe e emigrantëve nuk i raportojnë problemet në polici, sepse e dinë që kjo është një përpjekje e kotë. Kjo mungesë raportimesh tregon se shifrat zyrtare të diskriminimit racor janë thjesht maja e një ajsbergu shumë të thellë e të madh. Madje, ka komunitete që e shohin policinë si burimin e problemeve. Minoriteti më i diskriminuar në BE doli se ishin romët që jetojnë në Republikën Çeke, më pas vijnë ciganët e Hungarisë e të Polonisë dhe më pas edhe ata të Greqisë. Afrikanët, si ata nga vendet e Magrebit ashtu edhe nga ata nga Saharaja, zënë vendet e para ndër minoritetet më të diskriminuara. Grupe të tjera që kanë qenë subjekte të paragjykimeve janë emigrantët nga vendet e BE-së, kryesisht ata që vijnë nga vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe Ballkani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›