E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e veriut i bëjnë rezistencë urdhrit të ministrit

Urdhri i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për marrjen e rekomandimit nga mjeku familjar për çdo konsultë te specialisti, nuk po gjen zbatim në zonat e thella malore të vendit. Largësia nga qendrat shëndetësore apo caktimi i një mjeku të vetëm për disa zona të banuara, e bën gati të pamundur marrjen e rekomandimit nga banorët. Situata është më e vështirë në rastet e urgjencave mjekësore, të cilat nuk lënë shumë kohë për të gjetur mjekun e familjes dhe marrjen e rekomandimit. Në spitalin rajonal të Kukësit mjekët shprehen të gatshëm t‘u shërbejnë atyre në çdo kohë, pavarësisht nëse kanë apo jo rekomandimin. Mjeku pediatër Misin Braha thotë se çdo ditë viziton pacientë nga fshatra të ndryshëm pa asnjë rekomandim. Sipas mjekut, ndonëse urdhri i ministrisë përcakton qartë se pacientët që nuk kanë rekomandim duhet të paguajnë 2000 lekë për vizitë, ai nuk ka pasur kurrë kurajën t‘u kërkojë lekë njerëzve të sëmurë. Shumica e pacientëve janë në gjendje ekonomike të vështirë dhe pjesa më e madhe e fëmijëve paraqesin probleme nga kequshqyerja. "Unë nuk mundem t‘i kërkoj lekë kësaj kategorie pacientësh. Jo, nuk mundem. Le ta bëjë dikush tjetër, unë nuk mundem", tha pediatri 60-vjeçar, i cili, nga ana tjetër, është i njohur për ndihmën që u jep pacientëve të varfër për blerjen e ilaçeve.
"Urdhër i ministrit? E di, por në zonat tona nuk funksionon, derisa të gjejë mjekun e zonës fëmija vdes, nuk pret dhe në këtë rast unë i jap shërbimin që më është besuar, por do të ishte shfrytëzim i keq i rastit për fëmijët që po vdesin nga uria", tha mjeku, duke përshkruar disa nga rastet që ai i kishte vërejtur. Rrethi i Kukësit ka 14 komuna, një pjesë e të cilave shtrihen në zonat e thella me fshatra të shpërndarë, ku mjeku i caktuar i zonës e ka të pamundur të gjendet njëkohësisht në të gjitha fshatrat ku gjenden të sëmurët dhe atyre t‘u jepen rekomandimet. Përveç kësaj, në komuna të veçanta mungon kuadri mjekësor i lartë. Në këto rrethana pacientët në shumë raste i drejtohen direkt spitalit rajonal të Kukësit, ku mund të gjejnë shërbimin e kërkuar. Një mjek i zonës së Bushtricës, duke folur për rekomandimin për pacientët, tha se gati gjysma e pacientëve shkon pa rekomandimin e tij direkt e në spitalin rajonal. "Kur unë ndodhem në fshatin Vilë, sipas një grafiku që e kam të afishuar, nuk ka pse të më presë mua një person që sëmuret në Bushtricë, ai ndoshta nuk pret deri nesër", tha ai, duke shtuar se në fshatrat e thella as edhe infermierja nuk gjendet aq kollaj, pasi ajo shkon nëpër familje për një injeksion apo vaksinë.
E njëjta situatë është edhe në spitalin e Peshkopisë. Bluzat e bardha pohojnë për "Shqip" se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për vizitat vetëm me rekomandim të mjekut të familjes kanë sjellë shumë probleme për ta dhe banorët e zonave të thella malore. "Nuk mund të mos u japim ndihmën e duhur mjekësore fëmijëve që rrezikojnë jetën, vetëm pse u mungon rekomandimi i mjekut të zonës prej nga vijnë, edhe pse nga një veprim i tillë mund të ndëshkohemi", thanë ata. Prindërit ankohen se nuk kanë mundësi për të marrë rekomandimin e mjekut të familjes, për shkak të mungesës së tij, si dhe largësisë nga qendra shëndetësore e komunës. Në të tilla kushte, pohojnë mjekët e spitalit rajonal të Peshkopisë, ndihemi vërtet keq, pasi nuk dimë se si të veprojmë. Për çdo ditë pranë këtij spitali vijnë pacientë të shumtë nga zona të thella malore, si kalaja e Dodës, Selishta, Lura, Sllova etj., në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, e cila rëndohet edhe për shkak të largësisë së këtyre zonave nga spitali. Madje, ka edhe raste kur gjendja shëndetësore e fëmijëve përkeqësohet dhe prindërit acarohen e përplasen me bluzat e bardha, duke u kërkuar atyre që të ndërhyjnë për kurimin e fëmijëve pa pagesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›