E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në janar 2010, buka më e shtrenjtë

Prodhuesit e mëdhenj të bukës në Qarkun e Fierit paralajmërojnë rritjen e çmimit të bukës që nga janari i vitit 2010. Sipas tyre, vendimi është marrë për shkak të rritjes së shpenzimeve të aktivitetit të tyre. Por, sipas kreut të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, nëse shteti do të aplikojë skema subvencionimi për këto aktivitete, atëherë do të rishikohet edhe njëherë vendimi për shtrenjtimin e çmimit të bukës.
Ditët e para të janarit të 2010-s, banorët e tri rretheve të Qarkut të Fierit do të detyrohen ta blejnë bukën më shtrenjtë. Paralajmërimin për shtrenjtimin e bukës e bën kreu i Shoqatës së Prodhuesve në Qarkun e Fierit, njëkohësisht nënkryetari i kësaj shoqate në shkallë vendi, Kajo Hallka.
Sipas tij, viti 2009 do të mbyllet me çmimin e aplikuar deri më tani për bukën, ndërkohë që fillimi i vitit të ardhshëm do ta gjejë këtë asortiment të rëndësishëm të tryezave familjare më të shtrenjtë. "Ne si prodhues jemi takuar disa herë gjatë dy muajve të fundit dhe kemi vendosur që do të rrisim njëkohësisht çmimin e bukës. Rritja e zërit të shpenzimeve na imponon shitjen e bukës më shtrenjtë", tha kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës në Qarkun e Fierit, Kajo Hallka.
Më tej, Hallka ka specifikuar se "rritja e çmimit të energjisë elektrike është shkaku kryesor që na detyron të marrim këtë vendim. Nëse energjia do të shtrenjtohet, atëherë edhe ne duhet të shtrenjtojmë prodhimin tonë. Përveç energjisë është edhe karburanti që ka pësuar sërish rritje këtë vit, aq më shumë tani në fund. Gjithashtu edhe mielli në tregun ndërkombëtar, ku sigurohet pjesa më e madhe e bazës materiale nga prodhuesit e vendit, është shtrenjtuar. Rritja e shpenzimeve tona në kuotën e 40% na detyron që të rrisim çmimin e bukës me 20-25%", ka thënë Kajo Hallka.
Paralajmërimi për shtrenjtimin e bukës është bërë zyrtarisht nga shoqata e prodhuesve, ndërkohë që kjo shoqatë ka siguruar se nuk do të ketë abuzim me peshën e produktit.
Zyrtarisht, Shoqata e Prodhuesve të Bukës për Qarkun e Fierit ka komunikuar se sot 1 kg bukë shitet 100 lekë, ndërkohë që me çmimin e janarit do të shkojë në 120 lekë.
Ndërkaq, prodhuesit e bukës në Qarkun e Fierit kërkojnë kompensimin e energjisë elektrike. "Në rast se do të kemi kompensim për energjinë, atëherë do të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të bukës. Në rast të kundërt, ndryshimi në çmim është i pashmangshëm", ka sqaruar zyrtarisht Kajo Hallka, kreu i Shoqatës së Prodhuesve në Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›