E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksera: Përmirësimin për jetën social-ekonomike të komuniteti rom

Ministri i Punës, Spiro Ksera, ka mbledhur dje përfaqësues të organizatave ndërkombëtare donatore, për t‘i njohur me Planin Kombëtar të Veprimit për Romët, që është hartuar në zbatim të deklaratës "Dekada e Përfshirjes Rome", dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre në realizimin e objektivave dhe masave konkrete të këtij plani. "Anëtarësimi i Shqipërisë në iniciativën e nëntë vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, për Dekadën e Përfshirjes së Romëve, ka për synim përmirësimin e gjendjes social-ekonomike dhe përfshirjen sociale të minoritetit rom në arsim, punësim, shëndetësi, strehim", tha ministri Ksera. Sipas vlerësimit të bërë nga ekspertët e të gjitha fushave, buxheti në total për të gjithë Planin e Veprimit llogaritet në 2 miliardë e 498 milionë lekë, ndërsa buxheti vjetor në 417 milionë lekë". Duke u ndalur konkretisht në sektorë të veçantë, në të cilët kërkohet mbështetja e donatorëve, ministri theksoi se kjo mbështetje duhet të jetë konkrete në fusha të tilla të rëndësishme si financimi dhe bashkëfinancimi i projekteve që lidhen me hapjen e minipunishteve apo ndërmarrjeve të rrobaqepësisë, ku mund të punësohen një numër i konsiderueshëm i komunitetit rom, mbështetje e zanatçinjve, nëpërmjet pajisjes së tyre me vegla pune, hapjen e qendrave ditore për komunitetin rom, brenda të cilave të funksionojnë klasa të integruara për të eliminuar analfabetizmin mes radhëve të këtij komuniteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›