E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE rekomandon thjeshtimin e procesit zgjedhor

Ekspertët e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian rekomandojnë thjeshtësimin e procesit zgjedhor në Kosovë, për ta shtuar transparencën dhe besimin e popullit në zgjedhje.

Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka prezantuar konkluzionet e misionit të ekspertëve të zgjedhjeve nga BE-ja (EU EEM), i cili arriti në nëntor-dhjetor 2009 për të vlerësuar dhe raportuar lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Komisionit Evropian thuhet se rekomandimet përfshijnë sugjerime për të shqyrtuar heqjen nga korniza ligjore të dispozitave që janë tipike për ambiente që sapo kanë dalë nga konflikti, sikurse që është votimi me kusht dhe për ta shqyrtuar nevojën e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si një institucion në vete i natyrës administrative.

Misioni i ekspertëve të zgjedhjeve nga BE-ja ka konkluduar se sistemi zgjedhor mund të thjeshtësohet me qëllim të lehtësimit të procedurave të numërimit dhe paraqitjes tabelare të rezultatave. “Sistemi duhet të vihet në përputhje të plotë me standardet e zbatueshme ndërkombëtare. Duhet të shqyrtohet se si të harmonizohen prioritetet e ndryshme kundërthënëse të ngulitura në sistemin e tanishëm”, thuhet në komunikatën, shpërnadrë medieve.

Gjithashtu është rekomanduar që procesi i ankesave dhe parashtresave duhet të thjeshtësohet dhe strukturohet në një proces të qartë, transparent me dy apo tri instanca dhe i mbështetur në seanca publike. “Vendimet administrative duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor. Duhet të garantohet transparenca në të gjitha fazat e procesit. Autoritetet duhet të veprojnë për të ulur kulturën e pandëshkueshmërisë së shkeljeve zgjedhore”, ka thënë thënë ekspertët e zgjedhjeve nga BE-ja.

Dispozita në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme për gjobitjen e vëzhguesve zgjedhorë deri në 200,000 euro, duhet të hiqet nga ligji, sipas Deklaratës së OKB për Parimet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve Ndërkombëtare, 2005.

“Legjislacioni që rregullon regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, duke përfshirë financimin e partisë dhe financimin e fushatës, duhet të miratohet urgjentisht”, kanë konstatuar ekspertët.

Komisioni Evropian nxit institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile për të hapur një debat publik për mësimet e mësuara gjatë zgjedhjeve komunale të vitit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›