E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina kritikon Hillary Clintonin

Kina hodhi sot poshtë kërkesën e Sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, për t’i dhënë fund censurës në internet në këtë shtet komunist, duke cilësuar deklaratat e saj si jokorrekte dhe dëmtuese për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Një gazetë shtetërore në Kinë apelin nga Washingtoni e cilësoi si “imperializëm informative”.

Gjatë fjalimit që mbajti të enjten, Clinton kërkoi nga Kina që të zhvillojë hetime rreth ndërhyrjeve të fundit në internet, të cilat nxitën kompaninë Google që të kërcënohet me tërheqje nga Kina.

“Në kundërshtojmë komentet, të cilat bien ndesh me faktet dhe dëmtojnë marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Ma Zhaoxu.

“Ne kërkojmë nga pala amerikane që të respektojë faktet dhe që mos ta shfrytëzojë të ashtuquajturën liri të internetit, për të ngritur akuza të gabuara në adresë të Kinës”, shtoi ai.

Clinton theksoi se gjatë viteve të fundit, Kina ka qenë një prej shteteve, në të cilat është kërcënuar rrjedhja e lirë e informative. Krahas Kinës ajo përmendi edhe Tunizinë, Uzbekistanin, Egjiptin, Iranin, Arabinë Saudite dhe Vietnamin.

Ma mbrojti politikën e Kinës për promovimin e internetit, duke theksuar se Kina ka 380 milionë shfrytëzues dhe 3.6 milionë faqe në internet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›