BE sanksione te reja ndaj Sirise
Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën sanksione të reja ndaj regjimit sirian e në të njëjtën kohë i bënë thirrje presidentit, Bashar al-Assad të respektoje planin gjashte pikesh te paqes. Sanksionet e BE-së përfshijnë ngrirjen e aseteve të dy kompanive dhe tre personave të cilët financojnë regjimin. Personave në fjalë po ashtu u ndalohet të udhëtojnë jashtë vendit. Kjo është hera e 15 që Brukseli ka vendosur të ndëshkojë Damaskun që kur protestat nisën 14 muaj me pare . Shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton tha se dhuna e vazhdueshme është tmerruese, në një kohë që sanksionet janë kundër regjimit, e jo kundër popullsisë. "Për sa kohë që represioni do të vazhdojë ne do të shtojmë presionin për përgjegjësit",-tha ajo. Ditën e hënë, forcat e regjimit pësuan humbje të rënda në njerëz, pasi në Rastan u vranë 23 ushtarë. Pasojat e luftës po ndihen edhe në Libanin fqinj, ku në afërsi të Tripolit, përleshjet e dhunshme shkaktuan të paktën 7 të vdekur, ndërsa më shumë se 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur .