E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran varet spiuini izraelit Majid Jamali Fashi

Një person i dënuar për vrasjen e një shkencëtari bërthamor iranian në Teheran dy vjet më parë është varur nga autoritetet e Republikës Islamike. Lajmin e bëjnë të ditur mediat iraniane. Majid Jamali Fashi, 24 vjeç, mori dënimin kapital për vrasjen e profesorit Massoud Ali Mohammady duke shpërthyer në distancë një bombë të vendosur jashtë shtëpisë së tij në janar të vitit 2010. Fashi u akuzua gjithashtu se kishte qenë një spiun i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe se ishte paguar 120 mijë dollarë për vrasjen. Nga ana tjetër, Izraeli nuk ka bërë asnjë koment për këto akuza.

“Majid Jamali Fashi, spiuni i Mossad-it dhe personi që vrau Masoud Ali Mohammadi, shkencëtarin tonë, u var mëngjesin e së martës”, raporton agjencia e lajmeve “Irna”.

Profesori i shkencave bërthamore punonte në Universitetin e Teheranit dhe është një nga disa shkencëtarët e së njëjtës degë që janë vrarë në vitet e fundit në Teheran.

Pas atentatit, Irani akuzoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se u përpoqën të dëmtonin programin e tij bërthamor. Dy vendet besojnë se Irani po përpiqet të pajiset me teknologji për ndërtimin e armëve bërthamore, gjë që Teherani e mohon. Vendi islamik thotë se po pasuron uranium për qëllime paqësore.

Fashi, i cili u gjykua dhe dënua në gusht të vitit 2011, u shfaq në televizionin iranian në janar ku rrefeu për vrasjen e profesorit. Burimet e opozitës në Iran kanë akuzuar qeverinë për vrasjen e Profesor Mohammadi, sepse ai ishte një nga mbështetësit e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›