E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE shpreson për vazhdimin e dialogut

Bashkimi Evropian (BE) pret që dialogu Prishtinë-Beograd do të vazhdojë javët e ardhshme, ka deklaruar të mërkurën në Bruksel zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kocijançiq, sipas së cilës dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve praktike.

Zëdhënësja e Ketrin Eshton, ka theksuar se dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, në mënyrë që të tejkalohen pengesat në rrugën drejt BE-së dhe për të zgjidhur çështje praktike për njerëzit në terren.

“Përfaqësuesi i BE-së, Robert Kuper ka marrë sinjale pozitive edhe njëra palë dhe pala tjetër. Po punohet që të vijë sa më parë deri te dialogu dhe jemi optimist”, ka thënë Kocijançiq.

Për më tepër Kociançiq ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon dhe kjo vlen edhe për Kosovën dhe Serbinë.

Derisa Komisioni Evropian ka kushtëzuar normalizimin e raporteve me Kosovën për nisjen e bisedimeve me Serbinë për aderim në BE, Kociançiq ka thënë se nuk mund të spekulohet se cili do të jetë qëndrimi 27 vendeve anëtare kur të vendoset për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në Union.

“Rekomandimet e Komisionit Evropian janë të qarta. Tash iu mbetet vendeve anëtare që të sjellin vendimin”, ka thënë ajo.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë me fajin e palës serbe, e cila ka kërkuar bisedime për pikat 1 dhe 31, gjë e cila është kundërshtuar kategorikisht nga Kosova.

Prishtina zyrtare ka qartësuar se nuk do të ketë tema politike, të cilat janë linjë e kuqe e institucioneve të Kosovës.

Dialogu i sponsorizuar nga BE u ndërpre më 27 shtator pas një vale të re të dhunës në veri të Kosovës ku popullata lokale serbe, ka ngritur barrikada të reja në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së kontrollit të Prishtinës zyrtare edhe në këtë pjesë të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›