E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi ulja e 60 tarifave e taksave vendore

19/10/2011  Basha: Burokracitë me procedurat, “One Stop Shop”, edhe për bizneset në kryeqytet

Projekti kursen 6 milionë dollarë, shumë e barasvlershme me 2 mijë vende të reja pune.

Nis zbatimi i vendimit për uljen e tarifave dhe taksave vendore. Duke filluar nga kjo javë qytetarët dhe subjektet e ndryshme të biznesit në kryeqytet, për çdo shërbim të marrë pranë strukturave vendore, do t’u nënshtrohen tarifave dhe taksave të reja të miratuara pak ditë më parë nga këshilli bashkiak i kryeqytetit. Sipas këtij vendimi, janë eliminuar rreth 60 tarifa e taksa vendore, që rëndonin prej kohësh në kurriz të kryeqytetasve, edhe në raste kur shërbimet nuk ofroheshin. Sipas vendimit, ndryshimet thelbësore kanë të bëjnë me tarifën e pastrimit, e cila për familjarët shkon në 5000 lekë në vit, ndërsa për biznesin e vogël niveli i kësaj tarife vjetore do të jetë sa 10 % e nivelit të taksës për këto biznese, për biznesin e madh luhatet nga 2500-37 500 lekë, ndërsa biznesi vip ka tarifa që shkojnë nga 19000-47 000 lekë në vit. Ndryshime ka edhe për taksën e tabelës, ku tarifa për vendosjen e tabelave për qëllime identifikimi në shqip aktualisht është 1500 lekë dhe do të bëhet 120 lekë në vit, ndërsa tabela e shprehur në gjuhë të huaj është 3000 lekë në vit, do të bëhet 120 lekë në vit etj. Hyrja në fuqi e tarifave të reja është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje, e cila sanksionon ngritjen e “one stop shop” edhe për biznesin, zyrë e cila do të përmbledhë të gjitha burokracitë që pengonin më parë zhvillimin e biznesit. “E nisëm këtë duke vënë në jetë një nga premtimet kryesore, heqjen e mbi 60 tarifave dhe reduktimin e taksave në qytetin tonë, me vendimin e këshillit bashkiak të mërkurën e kaluar, i cili ka hyrë në fuqi duke filluar nga kjo javë. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ne hedhim hapin tjetër, atë të përgatitjes së një plani radikal të thjeshtimit të procedurave administrative në raport me biznesin në veçanti dhe qytetarët në tërësi”, - ka pohuar Basha. Memorandumi i nënshkruar ndërmjet kryebashkiakut Basha, IFC-së, Korporata Ndërkombëtare Financiare, pjesë e Bankës Botërore, është një angazhim i përbashkët në lehtësimin e procedurave për biznesin. Qëllimi kryesor i këtij projekti është reduktimi i dokumentacionit, kostos dhe kohës që i nevojitet biznesit, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet dhe duke rritur nivelin e konkurrueshmërisë së Tiranës. Ky projekt parashikon krijimin e një qendre të vetme për kryerjen e shërbimeve ligjore të biznesit në nivel lokal. Me ngritjen e kësaj qendre, do të bëhet e mundur edhe kryerja e procedurave on-line, çka do të jetë një tjetër lehtësi për biznesin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›