BE, shtab special për krizën shqiptare

Që prej fillimit të vjeshtës nga ana e Bashkimit Europian, kriza politike shqiptare do të menaxhohet nga një grup i ngushtë zyrtarësh në Bruksel, që do të drejtohet nga një “i dërguar i posaçëm” i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, baroneshës Catherine Ashton. Burime diplomatike bënë të ditur se diplomati që do të merret me krizën do të jetë edhe ambasadori i ri i Bashkimit Europian në Shqipëri që do të emërohet më 1 janar nga Ashton. Në fillim të vitit të ardhshëm nis punën Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian (European External Action Service), i cili do të shpërndahet në të gjitha shtetet e globit. Siç mësohet pas marrjes në dorë të krizës politike shqiptare nga institucioni më i lartë i Bashkimit Europian siç është Këshilli i Ministrave, i cili në qershor miratoi një deklaratë të posaçme për krizën shqiptare, gjithçka do të menaxhohet jo më nga teknicienët e Komisionit Europian, por nga “armata” e diplomatëve që drejtohet nga zonja Ashton.
Grupi “Shqipëria”Zgjidhja e krizës politike shqiptare, tashmë ka një dokument zyrtar të miratuar, siç është rezoluta e Parlamentit Europian, e cila u miratua më 22 qershor. Zbatimi i këtij dokumenti do të ndiqet nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, e cila do të krijojë një bërthamë me ekspertë dhe zyrtarë diplomatikë, që do të koordinojë ngushtë me Presidencën belge të BE-së por edhe me selitë diplomatike të vendeve anëtare, për të raportuar mbi situatën në Tiranë. Një diplomat i rëndësishëm do të emërohet nga baronesha Ashton për të ndjekur situatën dhe siç mësohet, do të ketë edhe vizita të tij gjatë shtatorit në kryeqytetin shqiptar. I dërguari i Ashton do të ketë fuqinë e plotë për të raportuar mbi situatën në Shqipëri dhe për të propozuar më pas propozimet për Këshillin Europian. Pikërisht nga këto raporte, por edhe nga Progres-Raporti i Komisionit Europian që do të shpërndahet në fund të tetorit, do të varet qëndrimi i vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave, por edhe për miratimin ose jo të opinionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
Shërbimi diplomatikMë 1 janar të vitit 2011, Bashkimi Europian starton zyrtarisht punën e “armatës” diplomatike të Europës, e cila nuk do të jetë më e përfaqësuar nga disa diplomatë, por do të ketë një ambasador të vetëm për çdo shtet, i cili do të jetë dhe përgjegjësi i përçimit të politikës së Brukselit në vendet ku është akredituar. Siç theksohet në dokumentin ku ligjërohet ngritja e
Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian (European External Action Service), do të përbëhet nga një zyrë e vetme gjeografike dhe tematike, e cila do të vazhdojë të punojë nën autoritetin e Përfaqësueses së Lartë. Pas marrëveshjes së arritur mes Parlamentit, shteteve dhe Komisionit Europian, Shërbimi Europian për çështjet e Jashtme (SEAE) do të jetë gati deri më 1 dhjetor edhe pse zyrtarisht ai do të nisë punën më 1 janar 2011, theksuan anëtarë të rrethit të ngushtë të Ashton.