LSI: Fitorja apo humbja e PS-së varet nga ne
Zgjedhjet lokale të majit 2011 përvijohen si betejë përcaktuese për stabilitetin e opozitës socialiste. Kandidimi ose jo i kreut të saj për një mandat të ri është një zhvillim ende i pazbuluar për publikun, por mbi të cilën shumica në pushtet ka nisur të bëjë llogaritë politike. Mesazhi i parë, me përmbajtje negociuese, është dërguar dje në adresë të Partisë Socialiste nga sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i cili në një konferencë për shtyp ka ofruar një ide të perspektivës përmes rikujtesës së rolit kyç të saj në dy raunde: zgjedhjet e 2005-s dhe ato të 2009-s. “Unë e kuptoj dhe e di që në bazën, në anëtarësinë e PS-së dominon logjika realiste, por për fat të keq atë nuk e pyet njeri dhe lidershipi vazhdon t’i bëjë llogaritjet siç i ka bërë edhe vitin e kaluar, siç bëri edhe 5 vjet më parë në zgjedhjet e 2005-s dhe vazhdon të mos e kuptojë se sjellja armiqësore ndaj LSI-së e ka lënë PS-së në opozitë në dy zgjedhje të përgjithshme politike dhe do të vazhdojë të lërë në opozitë për sa kohë lidershipi socialist të vazhdojë të mos ofrojë alternativë”, është shprehur Luan Rama. Ai u është referuar analizave të ndryshme të bëra në shtypin shqiptar rreth shifrave elektorale të dy zgjedhjeve të sipërpërmendura, të cilat i ka cilësuar si naive dhe të paqena. Nënvizimi i rolit bllokues të LSI-së në garat elektorale të selisë rozë më shumë se sa analizë faktesh dhe retrospektivë politike është një ofertë elektorale, që apelon për marrëveshje të heshtur mes dy forcave të majta. Ajo merr kuptim edhe nga konteksti qeverisës, ku LSI-ja aktualisht ndodhet në një pozitë pritëse për sa u përket lëvizjeve të mundshme në kabinet në muajin shtator. Kërkesa për “moderacion” ndaj PS-së është në vetvete një hapje diskutimesh në distancë për atë që mund të kuptohet edhe si strategji elektorale e së majtës. Se cila është forca e partisë së Ilir Metës në këtë drejtim, kjo është bërë e qartë nga partneri i tij, Luan Rama, i cli jo rastësisht ka kujtuar se objektivi kryesor i zgjedhjeve lokale mbetet Bashkia e Tiranës. “Bashkia e Tiranës mbetet prioriteti kryesor i sfidës sonë të ardhshme politike dhe elektorale. PS-ja dhe lidershipi i saj e di shumë mirë se cili ka qenë roli i LSI-së në fitoren e PS-së dhe të kryetarit të PS-së në zgjedhjet e kaluara lokale, ashtu sikundër e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë nëse sjellja e tyre do të vazhdojë të jetë e njëjtë”, tha ai. Me një mesazh të qartë për bazën e PS-së, duke prekur pakënaqësitë e njohura ndaj ekipit drejtues socialist dhe me kërkesa të hapura ndaj Kryeministrit Sali Berisha, LSI-ja duket se është aktualisht promotorja e fushatës elektorale, e cila kushtëzohet nga ndryshimet e përfolura në kabinetin qeverisë. Për sa i përket opozitës dhe vetë kreut të saj, Edi Rama, qëndrimi i LSI-së risjell edhe njëherë klimën e vitit 2009, kur ofertat e saj publike për bashkëpunim u hodhën poshtë nga PS-ja. Ripërsëritja e saj me terma të rinj dhe pa dalë nga korniza institucionale e koalicionit me PD-në, shënon nevojën e qetësimit mes forcave të majta, e një fushate elektorale me tone jo shumë armiqësore, për sa kohë që ndasitë brenda tyre kanë përcaktuar fitoren e Sali Berishës.
#