E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët dynden në Kapshticë e Kakavijë, nisin radhët

Kufiri Autoritetet thonë se ky është fluksi më i madh i shënuar këtë vit

Një fluks i madh emigrantësh të ardhur nga Greqia ditën e shtunë ka shkaktuar mbipopullimin e territorit doganor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Në këtë pikë të kalimit kufitar janë krijuar radhë të gjata, që kanë arritur disa kilometra, kryesisht në anën greke, ku emigrantët kanë qëndruar për disa kohë në pritje që të kryejnë procedurat e kalimit të kufirit për hyrjen në Shqipëri. Të paktën 7500 emigrantë kanë hyrë vetëm gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm, duke krijuar radhë paralele në katër korsi. Numri i madh i udhëtarëve ka detyruar vënien në përdorim të të gjitha sporteleve në anën shqiptare të Doganës së Kapshticës. Në territorin grek, ku emigrantët janë detyruar të presin më gjatë, radhët kanë arritur në katër kilometra deri në afërsi të fshatit të parë përtej kufirit. Ndërsa në territorin shqiptar të Doganës së Kapshticës janë krijuar radhë në të dyja anët, për shkak se policia kufitare është detyruar të vërë në përdorim të gjitha sportelet për regjistrimin e shtetasve në hyrje. Nga ana e palës greke është punuar me katër sportele, por fluksi ka qenë i madh, duke shënuar pikun e lëvizjeve ndërkufitare për këtë sezon. Emigrantët që kanë qëndruar në pritje në doganë për të marrë vulat e hyrjes në Shqipëri u ankuan se kanë qëndruar për gati 4 orë në doganën greke derisa kaluan për në tokën shqiptare. Burime të policisë kufitare në këtë doganë e shpjegojnë pritjen e emigrantëve dhe radhët e gjata të mjeteve të krijuara kryesisht nga pala greke, me dyndjen e menjëhershme të një numri të madh udhëtarësh. Emigrantët zgjedhin që të udhëtojnë fundjavave nga Greqia për në Shqipëri, ndërsa anasjelltas nisen për udhëtim në fillimjave, duke krijuar radhë të pashmangshme në kufi. Policia kufitare shqiptare në Kapshticë, krahas vënies në funksionim të të gjitha sporteleve të saj dhe shtimit të efektivëve, ka marrë masa për të disiplinuar radhët. Tetë sportele që janë vënë në punë të shtunën për të kryer në një kohë sa më të shkurtër regjistrimin e emigrantëve në hyrje për në Shqipëri, ndërsa dy sportele janë përdorur për përpunimin e pasagjerëve në dalje.

Fluksi i emigrantëve ka qenë i lartë edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, nga ku mëngjesin e djeshëm hynin në Shqipëri mesatarisht 500 persona në orë. Në këtë pikë kufitare, policia shqiptare ka vënë në punë nëntë sportele, ndërsa ajo greke tre dhe radhët në territorin e vendit fqinj kanë qenë të pashmangshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›