Urojnë Presidenten Jahjaga

Zgjedhja e Zonjës Atifete Jahjaga, presidente e re e Republikës së Kosovës, e sidomos dalja nga kriza institucionale është mirëpritur nga shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Liderë dhe përfaqësues politikë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë uruar zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e Presidentes së Kosovës, ka njoftuar agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.
Për deputetin Riza Halimi, “sikur zgjedhja e zonjës Jahjaga në krye të shtetit të Kosovës, ashtu edhe dalja nga ngërçi politik në institucionet e Kosovës janë lajme të mira edhe për Luginën e Preshevës”.
Ngjashëm kanë deklaruar edhe Galip Beqiri (KKSH), pastaj Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu (LPD), kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, dr. Skënder Desazni (BDL) si dhe Fehmi Beja, këshilltar (PVD) i lartë në Medvegjë.
“Çdo lajm negativ në Kosovë na brengos edhe ne këtu në Kosovën Lindore, por lajmet e mira, zhvillimet përparimtare, sikur këto të fundit, zgjedhja e presidentes së re, Zonjës Atifete Jahjaga dhe kapërcimi i kaosit politik në Kosovë, pa dyshim për ne janë lajme të mira dhe inkurajuese”, ka deklaruar Galip Beqiri, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.