E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, thirrje për dialog mes partive politike në Shqipëri

TIRANE-Politikanët shqiptarët duhet t’i rikthehen dialogut për ta çuar vendin përpara. Apeli vjen nga shefi i diplomacisë së Suedisë, vend që mban presidencën e radhës së bashkimit Europian.

I pyetur në një konferencë shtypi në Bruksel se çfarë mendonte për situatën në Shqipëri, ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt u bëri thirrje udhëheqësve politikë të Shqipërisë të ulen sërish për bisedime mes tyre. “Përsa i përket gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, për momentin është e pakënaqshme. Unë do t'i bëj apel udhëheqësve shqiptarë që të njohin se për të çuar vendin e tyre përpara, ata duhet te ulen dhe të bien dakord që të mos bien dakord në disa raste, por edhe të bien dakord ta çojnë vendin përpara. Ky është mesazhi që mund të gjeni në këto përfundime. Ky është mesazhi që i vjen Brukselit se ata duan te jenë pjesë e Evropës. Në Evropë ne kemi dialogun midis udhëheqësve politikë edhe kur disa herë nuk jemi dakord për disa çështje. Ne shpresojmë se Shqipëria do t'i bashkohet kësaj tradite sa më shpejt që të jetë e mundur. ", tha Bildt, sipas BBC-së. Deklarata e Bildt u bë në ditën kur Ministrat e Jashtëm të BE-së biseduan lidhur me shanset e rajonit për integrimin në bllokun europian.

Komisioni Europian ka hartuar gjithashtu një raport për zgjerimin, ku i bëhet thirrje Shqipërisë të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti vëren se Shqipëria ka probleme me zbatimin e ligjit dhe pavarësinë së gjyqësorit. Raporti i cili fokusohet në disa vende të rajonit pasi është bërë në kuadër të strategjisë së zgjerimit, thekson se Shqipëria ka bërë përparim në reformën zgjedhore dhe Implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Raporti bën thirrje që Shqipëria të bëjë përpjekje në forcimin e lirisë së medias. Përmes këtij raporti, KE i bën thirrje politikës shqiptare të fillojë dialogun konstruktiv në Kuvend.
Lidhur me këtë raport u diskutua edhe në takimin e dy ditëve të fundit të Ministrave të Jashtëm të BE-së. Ministrat e BE-së deklaruan se mbështesin zgjerimin e BE-së drejt lindjes dhe se do të paraqesin para krerëve të qeverisë të BE-së në fund të kësja jave një propozim konkret për lidhur me integrimin e Ballkanit në BE.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›