BE urdhër kompanive ajrore: Të dëmshpërblehen pasagjerët e avionëve
Ervin KOÇI
Situata në qiejt e Europës po normalizohet, por kaosi i lëvizjeve ende vazhdon për shkak se miliona njerëz mbetën nëpër aeroporte ndërkohë që miliona të tjerë kishin bërë prenotimet e lëvizjeve. Nisur nga kjo situatë kaosi, shumë persona nuk kanë harruar që të shprehin pakënaqësinë e tyre për vonesat e shkaktuara, madje ka pasur edhe nga ata që kanë nxituar tek avokatët për të kërkuar nisjen e procedurave për dëmshpërblim.
Nisur nga kjo, Bashkimi Europian u kërkoi kompanive ajrore që të rimbursojnë pasagjerët që mbetën të bllokuar, duke u bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Komisioneri i Transporteve kërkoi që të drejtat e pasagjerëve të respektohen deri në fund, ndërsa kujtoi se në të tilla raste atyre duhet t'u krijoheshin lehtësirat për ushqim, pije dhe fjetje. Kompanitë po aplikojnë strategji të ndryshme për të kthyer klientelën e humbur, por përveç dëshirës për t'u rikthyer sa më parë në normalitet të plotë dhe për çuar të gjithë pasagjerët në destinacione, nuk ka mjaftueshëm mjete. Nga ana tjetër kompanitë ajrore duhet të bëjnë llogaritë se sa do tu duhet për t’u kthyer udhëtarëve dëmshpërblimet që ata pretendojnë. Por nga kjo e drejtë të përjashtuarit e vetëm në Europë duket se janë pasagjerët e kompanive ajrore që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Vetëm këtu deri tani asnjë pasagjer nuk ka marrë asnjë lloj dëmshpërblimi, në një kohë që askush nuk është kujtuar për këtë. Nga ana tjetër pasagjerët që duhet të niseshin nga Rinasi për në destinacione të ndryshme dhe anasjelltas, me kompanitë ajrore shqiptare, kanë paguar si komision nga 40 euro për çdo ditë që kanë shtyrë biletat.
Të drejtat e pasagjerit
Një ligj i posaçëm është hartuar edhe në Shqipëri rreth një vit më parë i cili u njeh të gjitha të drejtat dhe garancitë pasagjerëve shqiptarë në udhëtimet që ata do të kryejnë me kompanitë vendase të transportit. Ky ligj përfshin kompanitë e transportit ajror, detar, dhe rrugor, si dhe transportin publik urban nëpër qytete. Në bazë të këtij ligji, pasagjeri (udhëtari) ka të drejtë të dëmshpërblehet për çdo dëmtim gjatë udhëtimit si moral ashtu dhe ekonomik. Ky ligj ishte dhe një prej kërkesave të Bashkimit Europian, i vendosur si kusht për sistemin shqiptar të transportit dhe për kompanitë që veprojnë në këtë territor. Në këtë mënyrë, pronarët e mjeteve të të gjitha llojeve të transportit të pasagjerëve, janë të detyruar të lidhin një kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik. Në ligjin "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit", minimumi i shumës për çdo pasagjer, për çdo rast dëmi apo humbjeje, për të cilën është lidhur një kontratë sigurimi për një mjet transporti, është: në rast vdekjeje 2 milionë lekë, ndërsa në rast të paaftësisë së përhershme, 4 milionë lekë. Në bazë të këtij ligji parashikohet që kontrata të lidhet nga pronarët e mjeteve të transportit publik ndërkombëtar, duke përfshirë rastet kur merren mjete me qira. Në këtë lloj kontrate sigurimi futen edhe autobusët që transportojnë punëtorë për dhe nga qendrat e punës, autobusët e shoqërive turistike që përdoren për transportin e turistëve, si dhe taksitë dhe makinat me qira, edhe kur jepet bashkë me drejtuesin e mjetit.
Mjetet jorrugore
Sipas ligjit, kontrata përfshin edhe të gjithë tipat e mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore, përfshirë tragetet për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta dhe transportin e turistëve si dhe mjetet lundruese pa motor. Këtu përfshihen të gjithë tipat e mjeteve, të dhëna me qira lundruese të sipërpërmendura me të paktën një anëtar ekuipazhi. Ligji parashikon lidhjen e kontratave të sigurimit edhe për avionë të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve dhe mallrave, si dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit, pavarësisht nga tipi i origjinës së fuqisë, të përdorur për transportin publik të pasagjerëve me pagesë, përfshirë këtu mjetet e transportit mbi shina dhe teleferikët. Detyrimi i një shoqërie sigurimi në kontratën e sigurimit, përfaqësohet nga shuma e siguruar e vlefshme në ditën e rastit të humbjes apo dëmtimit, nëse nuk është rënë dakord për një shumë më të madhe në kontratën e sigurimit.
Skema////////////////////////////////
Kontrata e sigurimit për fluturimet me avion përfshin:
1. Dëme jopasurore, shkaktuar palëve të treta me pasojë vdekje, dëme trupore, përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe dëmtim ose shkatërrim të pasurisë, gjatë fluturimit të avionit
2. Dëme jopasurore, shkaktuar pasagjerëve, me pasojë jo vdekje, dëme trupore, si dhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore gjatë fluturimit të avionit.
3. Dëmtime ose humbje të sendeve personale të pasagjerëve, që janë të vendosura në kabinën e avionit
4. Dëmtime ose humbje të mallrave në transport (cargo) dhe të bagazheve, që kanë kaluar procesin e regjistrimit.
5. Palë e tretë quhet çdo person i ndryshëm nga pasagjeri apo anëtari i ekuipazhit të fluturimit ose i kabinës së avionit, gjatë fluturimit të avionit.
BOX/////////////////////////////////
IATA: 1.7 miliardë dollarë humbje për kompanitë ajrore
Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror, “IATA”, tha se çrregullimet në trafikun ajror në Evropë të shkaktuara nga hiri vullkanik në Islandë i kanë kushtuar industrisë të paktën 1.7 miliardë dollarë. Drejtori ekzekutiv i IATA, Gjovani Bisinjani, tha se shkalla e çrregullimeve ishte më e rëndë sesa pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001 në SHBA.
Shumica e aeroporteve kryesore të Evropës sot filluan të operojnë, pasi Britania mbrëmë njoftoi se e ka rihapur gjithë hapësirën ajrore të saj. Miliona udhëtarë mbetën të bllokuar pasi qeveritë evropiane vendosën t’i mbyllin hapësirat ajrore të tyre të enjten e kaluar pas shpërthimit të vullkanit në Islandë. Agjencitë për mbrojtjen civile në Islandë thanë dje se vullkani Ejafjoell, ka humbur afro 80 për qind të fuqisë që nga java e kaluar kur arriti kulmin e shpërthimit. Ekspertët patën paralajmëruar se hiri vullkanik mund të shkaktojë prishjen e motorëve të aeroplanëve.
BB: Kriza greke mund të godasë fqinjët
Banka Botërore ngre për herë të parë zyrtarisht shqetësimin se kriza greke mund të godasë vendet fqinje, kryesisht përmes efekteve në tregti, sektorin bankar dhe tkurrjes së dërgesave. Filip lë Heru, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore deklaroi përpara takimit të përvitshëm të FMN-së dhe Bankës që po zhvillohet këto ditë në Uashington se Banka po e mbikëqyr me kujdes këtë situatë. “Ne po e monitorojmë shumë nga afër gjendjen në Greqi për shkak të lidhjeve të shumta dhe të rëndësishme që ekonomia helene ka me disa ekonomi të rajonit”, - tha le Heru. Numri dy i bankës shtoi gjithashtu se Banka Botërore nuk ka ende ndonjë program për të ndërhyrë në Greqi, por është e shqetësuar se rënia e tregtisë dhe kredive që japin bankat helene mund të ketë pasoja për ekonomitë fqinje në zhvillim. “Ne shpresojmë se situate do të përmirësohet shpejt, parë kjo nga këndvështrimi i vendeve tona partnere, të lidhura fort me ekonominë greke, dhe në të cilat banka ka programe”,- deklaroi Lë Heru. Më tej gjatë një interviste për “Reuters” numri dy i BB-së për Europën tha se një tjetër problem mbetet edhe rënia e dërgesave, nga Greqia, ku Shqipëria do të ishte më e prekura. Greqia është një nga dy partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, me lidhje të forta jo vetëm në tregti por edhe sistemin bankar. Në këtë pikë ekspertët i druhen faktit se situate e vështirë financiare e Greqisë mund të detyrojë degët e bankave greke të reduktojnë në mënyrë drastike kredidhënien.
BE: Në maj, nis ndihma për Greqinë
Ndërsa Greqia po kërkon nisjen e zbatimit të një pakete ndërkombëtare ndihmash për të luftuar borxhin e saj në rritje, komisioneri evropian për Çështjet Monetare, Olli Rehn, bëri me dije se mekanizmi i ndihmave të parashikuara nga Bashkimi Evropian për Greqinë do të aktivizohet brenda muajit maj. Ka qenë kryeministri grek, Jorgo Papandreu, i cili bëri një kërkesë zyrtare për një paketë të përbashkët nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar, prej 40 miliardë eurosh, ndërsa Olli Rehn tha se kjo kërkesë mund të zbatohet, me gjithë rezistencën politike dhe popullore, veçanërisht në Gjermani kundër saj. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu kërkoi fillimin e zbatimit të një pakete të përbashkët financiare të Eurozonës dhe FMN-së për ta nxjerrë vendin nga kriza e borxhit. "Qeveria dhe populli grek kanë trashëguar një vend që i ngjan një varke gati për t’u mbytur, një vend pa prestigj që ka humbur respektin e miqve dhe partnerëve, një ekonomi që u la e pambrojtur nga grykësia e spekulatorëve”, u shpreh ai lidhur me një fakt të tillë.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 23.04.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.88%
12M 12-mujor 7.18%
6M 6-mujor 6.25%
3M 3-mujor 5.40%
1M 1-mujor 5.09%
1Ë njëjavor 4.71%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.68%
1Ë njëjavor 6.26%
o/n njëditor 6.14%
12M 12-mujor 8.87%
6M 6-mujor 7.85%
3M 3-mujor 7.11%
26 Prill 2010