Pensionet, ISSH: Moshat sipas datëlindjes lindjes që dalin deri më 30 qershor 2010
Jonida Tashi
Zbardhen datëlindjet që duhet të kenë përfituesit e pensionit të pleqërisë, për ta ligjëruar atë brenda datës 30 qershor të këtij viti. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranës, Saba Goci, shpjegon tri kushtet ligjore që duhet të përmbushin personat e interesuar për të dalë në pension, duke filluar që nga kategoria e parë, e dytë dhe e tretë e deri te nënat me shumë fëmijë. Në mjaft raste, për arsye të mospërputhjes së vitit të lindjes me harkun kohor të përcaktuar nga ISSH-ja, për kategoritë që dalin çdo vit në pension, ndodh që një person, megjithëse ka plotësuar moshën dhe periudhën e sigurimit për të përfituar pagesën e pleqërisë, nuk del dot në pension, vetëm për shkak të datëlindjes.
Moshat
Tradicionalisht, moshat e pensionit në vendin tonë përcaktohen duke respektuar harkun kohor nga data 1 korrik e çdo viti deri në datën 30 qershor të vitit tjetër. Për shembull, një grua që bën pjesë në kategorinë e tretë të punës dhe ka lindur në vitin 1951, aktualisht e ka plotësuar moshën dhe vitet e punës që i duhen për të dalë në pension, por ajo nuk mund të jetë brenda datës 30 qershor të këtij viti pensioniste, për arsye se data e saj e lindjes është 4 korrik e vitit 1951. Sipas kushteve të vendosura nga ISSH-ja, për punë të kategorisë së tretë, për gratë, datëlindja e daljes në pension deri më 30 qershor, duhet të jetë brenda këtij harku kohor: 1.7.1950-30.6.1951. Ndërsa për burrat që bëjnë pjesë në kategorinë e tretë të punës, datëlindja duhet të jetë duke filluar që nga 1.7.1945-30.6.1946. Në këto kushte, personat që nuk e kanë datën e lindjes brenda intervalit kohor korrik-qershor, të vendosur nga ISSH-ja, duhet të riaplikojnë për të përfituar pension, pas datës 30 qershor të çdo viti.
Kushtet
Njëkohësisht, me përcaktimin e moshave që dalin në pension deri më 30 qershor 2010, specialistët e ISSH-së, bazuar në rregulloren e re të pensioneve, kanë vendosur edhe kushtet që duhet të plotësojnë aplikuesit e të tria kategorive, që janë në prag të pensionit, për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm. Kushtet për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm për të dyja gjinitë janë: datëlindja, plotësimi i moshës dhe viteve të punës. Kushtet ligjore, të përcaktuara nga ekspertët e ISSH-së, për të përfituar pension të plotë pleqërie nga 1 korriku vitit 2009 deri më 30 qershor 2010, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Konkretisht, është vendosur që për punë të kategorisë së parë mosha e daljes në pension për burrat të jetë 58 vjeç dhe për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, krahasuar me vitin e kaluar, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, kurse periudha e sigurimit ka mbetur e njëjtë me atë të mëparshme, 35 vite. Kështu, mosha e përfitimit të pensionit për punë të kategorisë së dytë është 63 vjeç për burrat dhe 58 vjeçe për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Edhe për punët e kategorisë së tretë mosha e përftimit të pensionit është rritur me 6 muaj, kurse periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për punët e kësaj kategorie është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeçe, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.
Vjetërsia në punë, ndryshimet për kategorinë e parë dhe të dytë
Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, përveç plotësimit të moshës, specifikohen ndryshime në vjetërsinë e punës. Kështu, për këtë kategori kërkohet që të paktën 3/4, e vjetërisë së punës, të jetë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës. Konkretisht, për këta të fundit kërkohet që ½ e periudhës së punës të jetë e siguruar në këto profesione. Të gjithë personat, që janë afër plotësimit të kushteve të për pension duhet që patjetër të bëjnë kërkesën gjatë kësaj kohe, në mënyrë që të përfitojnë masën e pensionit që ditën e parë të mbushjes së moshës. Sipas rregullores së re, për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë personi i interesuar, fillimisht 1 vit para se t’i lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH), tek inspektori pritës. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës; certifikatë lindje me fotografi; certifikatë martese për kërkueset femra. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës.
Profesionet e ndara në tri kategoritë e pensioneve
Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.
Kategoria e parë
Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.
Kategoria e dytë
Në punë të kategorisë së dytë, për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.
Kategoria e tretë
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.
Kriteret për të përfituar pensioni pleqërie, duke filluar nga 1.7.2009 deri më 30.6.2010, janë si më poshtë:
Për punë të kategorisë së parë
Burri Gruaja
Datëlindja 1.7.1951-30.6.1952 1.7.1956-30.6.1957
Mosha vjeç 58 53
Periudha e sigurimit vite 30 30
Për punë të kategorisë së dytë
Burri Gruaja
Datëlindja 1.7.1946-30.6.1947 1.7.1951-30.6.1952
Mosha vjeç 63 58
Periudha e sigurimit vite 35 35
Për punë të kategorisë së tretë
Burri Gruaja
Datëlindja 1.7.1945-30.6.196 1.7.1950-30.6.1951
Mosha vjeç 64 59
Periudha e sigurimit vite 35 35
Për nënat me shumë fëmijë
Gruaja
Datëlindja 1.7.1959-30.6.1960
Mosha vjeç 50
Periudha e sigurimit vite 30
26 Prill 2010