E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifat e reja për Gjykatën, Prokurorinë dhe noterët



Laureta Rryçi

Ministria e Drejtësisë përcakton tarifa të reja për një sërë shërbimesh në gjykatë, noteri, prokurori dhe Përmbarim. Edhe pse kishin kaluar vetëm pak muaj që këto tarifa u dyfishuan sërish, ministri i Drejtësisë sapo ka firmosur një tjetër udhëzim duke i dyfishuar këto tarifa. Sipas udhëzimit më të fundit të ministrit të Drejtësisë, këto tarifa janë shtrenjtuar për shkak të numrit të lartë të kërkesave që përbëjnë shifrat zyrtare nëpër këto institucione. Sipas burimeve nga kjo ministri, një nga arsyet është bërë dhe dhjetëfishimi i numrit të padive për kreditë e këqija. Statistikat zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kanë shënuar gjatë muajit tetor edhe shifrën më të lartë mbi numrin e padive civile të depozituara nga bankat për kreditë e këqija. Por nuk mbeten pas dhe shumë padi të tjera civile që janë objekt më pas për ekzekutim nga zyrat e Përmbarimit Shtetëror.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të fundit për lëshimin e vërtetimit se personi nuk ka pengesë ligjore për pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit, qytetarët tani e tutje do të paguajnë 400 lekë të rinj. Për vendime apo dokumente të tjera që do të lëshohen nga gjykatat, do të paguhet tarifa prej 800 lekësh. Për legalizimin e akteve të noterisë nga Ministria e Drejtësisë do të paguhet 800 lekë. Për lëshimin e vendimit të pushimit ose të vendimit të mosfillimit të çështjes penale nga prokuroria do të paguhet 800 lekë. Është zeruar tarifa për të gjitha paditë civile që do të depozitohen në Gjykatën e Tiranës me objekt për rikthim në punë.
Noterët
Për 42 shërbime që ofrojnë noterët deri tani janë zbatuar tarifa të ndryshme, që variojnë nga 500 lekë e deri 30 mijë lekë të rinj. Qytetarëve u duhet vërtetimi i noterit si për përpilim testamenti, për prokurorë të posaçme, për t’u përfaqësuar në proces gjyqësor etj. Për kontratë qiraje është 2500 lekë, ndërsa për kontratë hipotekimi paguhet 3000 lekë. Ligji që përcakton tarifat ka vënë rregulla të reja për rastet kur bëhet fjalë për kalim pasurie të luajtshme dhe të paluajtshme. Tarifat për shërbime të tilla variojnë sipas shifrës së pasurisë që do të kalohet. Ato nisin nga 3 mijë lekë e shkojnë deri në 150 mijë lekë të rinj.

Udhëzim më vete për përmbaruesit privat
Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përcakton tarifat për shërbimet që do të ofrojë Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat. Pas miratimit të ligjit në fillim të këtij viti, specialistët e Ministrisë së Drejtësisë nisën menjëherë shqyrtimin e alternativave për të përcaktuar tarifat për këtë shërbim të ri. Tarifat nuk janë të vlefshme vetëm për qytetarët që do të preferojnë të ekzekutojnë një vendim gjykate më shpejt, por edhe për shtetin, për të gjitha shërbimet që do të kërkojë. Sipas këtij udhëzimi, përmbaruesi privat ka të drejtë të vendosë një tarifë në masë dhe sipas procedurës të parashikuar në këtë udhëzim. Specialistët kanë përcaktuar se tarifa e një subjekti përmbarimor përbëhet nga një tarifë normale, përveç tarifës shtesë që mund të vihet sipas kushteve që përcakton ligji për shërbimin përmbarimor privat. Këto tarifa janë të vlefshme për të përcaktuar kështu edhe koston që do të jetë jo vetëm për përmbaruesin, por edhe për qytetarin që do të përfitojë nga ky shërbim. Personi që duhet të paguajë tarifën e subjektit përmbarues është debitori, ndaj të cilit ka filluar procedura e ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit. Ai detyrohet t’i paguajë tarifë subjektit përmbarimor në përfundim të procesit të ekzekutimit. Në rastet e ekzekutimeve të pasuksesshme, personi përgjegjës për pagimin e tarifës është kreditori. Po i njëjti detyrim vlen edhe për debitorin solidar, i cili, në mënyrë solidare, përgjigjet për pagesën e detyrueshme ndaj përmbaruesit.

Tarifat që aplikoheshin deri dje

Natyra e shërbimit Masa e taksës në lekë
Për regjistrimin e personave fizikë e juridik privatë (shtetas shqiptar) 1 000
Për regjistrimin e personave fizikë e juridik privatë (shtetas të huaj) 4 500
Për lëshimin e vërtetimit se personi nuk ka pengesa ligjore për pajisje me pasaportë për jashtë shtetit 200
Për legalizimin e akteve të noterisë nga Ministria e Drejtësisë 200

Kërkesë padi që paraqiten në gjykatë Masa e taksës në lekë
Për pension ushqimor pa pagesë
Për vërtetim fakti 3 000
Padi për zgjidhje martese 3 000
Padi për pavlefshmëri të veprimeve juridike 3 000

Padi të rrjedhura nga marrëdhënie kontraktore si dhe për shkaktim dëmi Masa e taksës në lekë
Me vleftë deri në 100 000 lekë 3 000
Me vleftë mbi 100 000 lekë 1 % e vlerës
Padi për pjesëtim pasurie 3 000
Padi për kthim në punë pa pagesë

Tarifat e reja sipas udhëzimit të fundit të Nishanit

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›