E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skënderbej”, ekspertët propozojnë rishikimin e projektit



Vullneti i mirë politik dhe krijimi i hapësirave për mendimin e ekspertëve do të zgjidhin përfundimisht ngërçin e krijuar në sheshin “Skënderbej”. Eksperti i urbanistikës, Besnik Aliaj, thotë se pikërisht tani është momenti për të ndërhyrë. “Unë uroj që palët të ulen në tryezë duke u shmangur nga qëndrimet e ngurta politike, duke u lënë më shumë hapësirë teknicienëve dhe profesionistëve, të cilët mendoj që do të jenë më të prirë për të gjetur edhe një zgjidhje, e cila do të jetë edhe më e qëndrueshme. Asnjë zgjidhje teknike nuk mundet të kthehet në një ndërhyrje të ligjshme nëse nuk do të gëzojë edhe mbështetjen politike, por mendoj se pikërisht lënia hapësirë nga të dyja palët e më shumë frymëmarrje për ekspertizën e mirëfilltë teknike do të ishte një dëshmi dhe një vullnet pozitiv në dimensionin politik për të lënë më shumë hapësirë drejt zgjidhjes”, - është shprehur Aliaj. Për ta ndihmuar procesin, Aliaj propozon një plan prej 10 pikash, zbatimi i të cilave e zgjidh situatën. Katër pikat e para, që nisin me ngrirjen e punimeve në shesh, ngritjen e një grupi ekspertësh, caktimin e parimeve për të konceptuar projektin dhe miratimin e këtyre parimeve, janë të karakterit procedural. Ndërkohë, si një mundësi konsensusi Bashki-qeveri vjen propozimi për të mbajtur studion belge si vazhduese e projektit. “Do të ishte një shenjë e mirë vullneti, krahas ngrirjes së punimeve në sheshin ‘Skënderbej’, që të pranohet që studioja belge ‘51N4E’, të rikonfirmohet si studio që do të jetë përsëri ajo që do të rishikojë projektin për të adoptuar në bazë të debateve që kanë lindur dhe kërkesave që ka opinioni publik”, - tha Aliaj.

Republikanët përgatiten për zgjedhjet lokale të 2011-ës

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se dorëzimi i Pyetësorit të integrimit në Bruksel është një moment përgjegjësie për të gjithë. Sipas tij, edhe opozita duhet të reflektojë duke vendosur në plan të parë interesin kombëtar, dhe jo atë individual. Duke folur në Asamblenë rajonale të degës së Partisë Republikane në Durrës, Mediu u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme lokale. “Ne fillojmë të marrim në analizë qendër për qendër votimi, emër për emër, sipas listës të votuesve, sa vota kemi marrë gjithsecili në qendrën tonë të votimit. Si janë numëruar ato vota, si duhet të vazhdojmë të kombinojmë atë që kemi marrë në zgjedhjet lokale me ato që na dolën në zgjedhjet e përgjithshme; kush janë këshilltarët tanë të komunave; a janë ata prezentë apo jo në jetën tonë politike të Asamblesë rajonale; këshilltarët e bashkive janë apo nuk janë. Të gjitha duhen analizuar”,- tha Mediu. Sipas Mediut, Partia Republikane synon që në zgjedhjet e 2011-s të dalë forca e dytë politike e së djathtës.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›