Raporti i BE-së: Shqiptarët nuk do të lëvizin të lirë as këtë verë
Agjencia e lajmeve “Balkan Insight” ka bërë publik një raport të BE-së për progresin e bërë nga Shqipëria dhe Bosnja dhe mundësitë që kanë këto dy vende për të përfituar lëvizjen e lirë brenda kësaj vere. Sipas këtij raporti, shqiptarët nuk do të mund të lëvizin pa viza këtë verë. Sipas raportit, megjithëse ka një shans që Shqipëria dhe Bosnja të marrin një vlerësim pozitiv nga Brukseli për zbatimin e regjimit të lirë të vizave, Tiranës dhe Sarajevës i duhet ende dhe shumë punë përpara se vendimi të miratohet.
Kushtet
“Pa një progres të mëtejshëm, të dyja vendeve mund t’u duhet të presin edhe më gjatë, dhe mund të mos udhëtojnë të lirë pa viza gjatë pushimeve të verës, ashtu sikurse ata kanë shpresuar fillimisht. Raporti i hartuar nga ekspertët e Bashkimit Europian vlerëson se niveli i progresit të bërë nga të dyja vendet, Shqipëria dhe Bosnja, përputhet me kushtet e nevojshme që duhen zbatuar për të përfituar heqjen e regjimit të vizave.
Madje, Komisioni Europian pritet që të bëjë një vlerësim pozitiv në fund të muajit maj ose në fillim të muajit qershor, por duke iu referuar raportit të ekspertëve të BE-së, është e nevojshme që të plotësohen edhe disa kushte të tjera përpara se të merret miratimi përfundimtar”, - shkruhet në artikullin e agjencisë rajonale të lajmeve “Balkan Insight”. Sipas agjencisë, raporti në fjalë u është dërguar vendeve të BE-së të premten e kaluar dhe në të nënvizohet se të dyja vendet, si Shqipëria ashtu dhe Bosnja, kanë zbatuar “pjesën më të madhe të kushteve që disponon udhëzuesi”, gjë që u jep atyre mundësinë për t’u vendosur në “listën e bardhë për Shengen” – në të cilin bëjnë pjesë vendet që nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet të ndryshme të BE-së.
Vitin e kaluar, të dyja vendet nuk u bënë pjesë e listës së parë të vendeve të rajonit që përfituan heqjen e regjimit të vizave si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Duke iu referuar dokumenteve të dy vendeve, ato kanë plotësuar etapën që lidhet me sigurinë e dokumenteve të udhëtimit, marrëdhëniet me jashtë, respektimin e të drejtave të njeriut; por është vënë re mungesë progresi në çështjet që lidhen me emigracionin e paligjshëm, rendin publik dhe sigurinë. Përsa i përket Shqipërisë, ekspertët janë shkruar se “hapa të mëtejshëm janë të nevojshëm për t’u ndërmarrë në drejtim të forcimit të kapaciteteve të zbatimit të ligjit, zbatim efektiv i ligjeve në fuqi për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, duke përfshirë këtu edhe garantimin e fondeve të duhura dhe burimet e nevojshme njerëzore. Në veçanti është i nevojshëm zbatimi i ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së kriminelëve”, - shkruhet në raportin në fjalë. Reporterja e Parlamentit Europian, Tanja Fajon, është shprehur se ky raport vërteton faktin se të dyja këto vende do të humbasin shansin për të udhëtuar pa viza gjatë pushimeve verore. Por, sipas saj, është shumë e rëndësishme që autoritetet në këto vende të vazhdojnë të punojnë për shkak se këto janë muaj të rëndësishëm për të marrë një vendim pozitiv.
26 Prill 2010