E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagesat e legalizimeve me bono, fillon rritja e letrave me vlerë në treg



Ervin KOÇI

Nisja e procesit të pagesave për legalizimet e trojeve informate me bono privatizimi, u ka rritur sërish vlerën edhe këtyre të fundit. Përqindja e shitjes së tyre në tregun e këmbimit valutor ka pësuar një rritje të menjëhershme ku nga 7.8 për qind që ishte vetëm pak ditë më parë nisjes së procesit, tani këto letra me vlerë kanë shkuar deri në 13 për qind. Prej së mërkurës qytetarët po paguajnë me letra me vlerë, detyrimin e përllogaritur ndaj Agjencisë së Legalizimit dhe sipas bankave, prej ditës së parë të fillimit të këtij procesi, interesi i qytetarëve ka qenë i lartë. Ky interes ka dhënë edhe impaktin e parë në tregun e këmbimit ku pas një rënie të menjëhershme, bonot dje shiteshin në treg deri në 13 për qind të vlerës së tyre reale. Deri tani, vetëm në Tiranë janë shpallur 4 mijë emra, të cilët mund të paguajnë vlerën e truallit me bono privatizimi, në një kohë që pritet që gjatë ditëve në vijim vlera e tyre të rritet akoma dhe më tepër. Vetëm kambistët deklarojnë se interesi i qytetarëve për vlerën e shitjes së këtyre bonove po shtohet çka do të thotë se parashikohet që norma e tyre në treg të njohë sërish rritje.

Formularët
Në kuadër të mbarëvajtjes së procesit të pagesës me letra me vlerë, janë shpërndarë dy formularët që duhet të përdorin qytetarët për të legalizuar banesat e tyre dhe të bëjnë pagesën me bono. Formularët origjinalë kanë firmën dhe vulën e drejtorit të ALUIZNI-t. Pra, qytetarët që kanë ndërtim pa leje dhe janë në proces legalizimi, mund të plotësojnë formularët e rinj për të paguar deri në 70 për qind të detyrimeve me bono privatizimi, si dhe formularët e pagesës me bono privatizimi të parcelës ndërtimore. Çdo zotërues i një ndërtimi pa leje duhet të plotësojë këtë formular pranë zyrave të legalizimeve, nëse dëshiron të paguajë me letra me vlerë. Qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve për të bërë një kërkesë me shkrim, ku të deklarojnë se dëshirojnë të paguajnë me bono privatizimi. Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të ri të bëjnë pagesat përkatëse. Aktualisht po punohet për të mbyllur deri në fund të muajit procesin e legalizimeve për objektet e ndërtuara pa leje në njësitë bashkiake nr, 3, 4, 7 dhe 11. Në të gjithë kryeqytetin llogariten rreth 3 mijë objekte.

Objektet jashtë vijës së ndërtimit
Për objektet pa leje në zona informale jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë), për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi. Bëjnë përjashtim objektet informale me destinacion social-ekonomik, apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte.

Rishpërndarja
Aktualisht ka filluar procesi i rishpërndarjes së bonove të depozituara në kompanitë investuese në Shqipëri. Ky proces, i cili ka nisur më 1 prill do të zgjasë 7 muaj, pra deri më 30 shtator. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. Në procesin e privatizimit në vendin tonë janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga shpërndarja e letrave me vlerë dhe bonot e privatizimit, shumica e të cilave nuk është futur ende në përdorim dhe pritet që së shpejti të kalojnë për procesin e legalizimeve.

BERZH, mbështet zhvillimin e leasing-ut në Shqipëri

Qiraja financiare (leasing) ndonëse jo shumë e zhvilluar në vendin tonë, po gjen mbështetjen e investitorëve. BERZH-i po mbështet zhvillimin e sektorit te leasing-ut, në Shqipëri me një hua prej 1milion euro për shoqërinë “Landeslease”, e cila do të përdoret nga shoqëria për të zgjeruar shërbimet e saj për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). Në një periudhë ku bizneset përballen me mundësi të limituara për mekanizma financues, leasing shërben si një burim alternativ financimi për zhvillimin e SME-ve, të cilat janë vendimtare në transformimin strukturor të ekonomisë. Sektori i leasing-ut në Shqipëri është akoma në fazat e hershme të zhvillimit duke përfaqësuar vetëm një për qind të PBB-së së vendit. Shoqëria po përqendrohet kryesisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ka eksperienca të shkuara në leasing për automjetet, pajisjet dhe makineritë. Projekti do të shërbejë si një shembull pozitiv për shoqëritë e reja leasing për të konsideruar hyrjen në tregun shqiptar, duke rritur zhvillimin e sektorit të leasing-ut. BERZH zotërohet nga 61 shtete dhe dy institucione ndërqeveritare dhe mbështet zhvillimin e ekonomive të tregut dhe demokracive në shtetet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.

Kursi i këmbimit, euro ulet në kuotën e 138 lekëve

Euro ra për herë të parë që nga 21 janari i këtij viti poshtë kuotës 138 lekë, si pasojë e dobësimit të monedhës së përbashkët europiane në tregun ndërkombëtar, kërkesës së dobët për valutë në treg dhe tërheqjes graduale të stimulit monetar nga ana e Bankës së Shqipërisë. Sipas kursit mesatar të mesditës së djeshme, euro u këmbye për 137.86 lekë, pasi është forcuar gradualisht që nga fillimi i këtij muaji. Dollari është forcuar gjatë kësaj kohe si rrjedhojë e ndryshimeve të monedhës amerikane me euron në tregun ndërkombëtar. Forcimi i lekut rrit shpresat e kredimarrësve shqiptarë për stabilizim të kursit të këmbimit. Disa dhjetëra mijëra shqiptarë kanë marrë gjatë dekadës së fundit kredi në euro dhe janë për pasojë të ekspozuar ndaj humbjeve që krijohen nga zhvlerësimi i lekut. Disa analistë bankash vijojnë të besojnë se ekziston ende rreziku që euro të ngjitet mbi 140 lekë, pavarësisht stabilizimit të vërejtur në tri javët e fundit. Kërkesa për euro gjatë ditëve të fundit vlerësohet si jo shumë e madhe nga ekspertët, ndërsa një faktor tjetër që ka ndihmuar stabilizimin e lekut, ka qenë edhe ulja e sasisë së kredive afatshkurtra në lekë që Banka e Shqipërisë u ka dhënë bankave të nivelit të dytë dhe që njihen si stimuli monetar.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›