E Shtunë, 31 Tetor 2026

BEDZ, 12 vende “OK” liberalizimit të vizave

12 vendet e Detit të Zi kanë shprehur në Tiranë gatishmërinë për lehtësim vizash për biznesmenët dhe drejtuesit e automjeteve të transportit ndërkombëtar. 

TIRANE- 12 vendet e Detit të Zi, kanë shprehur në Tiranë gatishmërinë për lehtësim vizash për dy kategori qytetarësh, por konfliktet politike i kanë ndarë ata sërish. Në Ministerialin e 19, të mbajtur në Shqipëri, e cila mban presidencën e radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është rrëzuar deklarata e Tiranës. Pas një përplasje mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për paragrafin e deklaratës, i cili fliste për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve në Rajon. Ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha pohoi se “kjo çështje nuk cenon bashkëpunimin mes vendeve të Detit të Zi”.
Ndërkohë që më herët kryeministri Berisha, bëri thirrje në prani të 12 ministrave dhe zëvendësministrave të Jashtëm për të kapërcyer konfliktet e vjetra në Rajon në emër të bashkëpunimit.
Pavarësisht përplasjes për konfliktet në Rajon, i cili ka shtyrë për më shumë se 3 orë deklaratën përfundimtare Ministeriali ka miratuar marrëveshjet për lehtësimin e vizave për biznesmenët dhe drejtuesit e automjeteve të transportit ndërkombëtar. Ndërkohë përfaqësuesit mes të cilëve ministri i Jashtëm turk, ai armen apo dhe përfaqësues të diplomacisë serbe, ruse apo greke, kanë shprehur vendosmërinë për të hartuar një plan masash për të mos lejuar qe kriza financiare të preke ekonominë e 12 vendeve të Detit të Zi. Shqipëria ka mbajtur për 6 muaj presidencën e BISEC e pas saj më 1 nëntor presidenca i kalon Armenisë.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›