E Shtunë, 31 Tetor 2026

Scheffer në SHBA për protokollin e Shqipërisë në NATO

Në ceremoninë në të cilën presidenti i SHBA do të nënshkruajë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Xhorxh Bush ka ftuar edhe sekretarin e përgjithshëm i NATO-s. 

BRUKSEL - Në ceremoninë e firmosje së Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, do të jetë i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Nëpërmjet një njoftimi bëhet e ditur se Scheffer është shprehur se Aleanca Veriatlantike vazhdon të mbetet e përkushtuar për vendet të cilat janë aspirante të NATO-s.
Në ceremoninë e cila do të zhvillohet nesër në Rose Garden në Shtëpinë e Bardhë Scheffer është i ftuari i posaçëm i presidentit amerikan Xhorxh Bush.
Në ceremoninë e nënshkrimit, mësohet se do të jenë të pranishëm, edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, anëtarë të komisionit të jashtëm të Senatit të SHBA-ve, përfaqësues të trupit diplomatik, miq dhe dashamirës të të dy vendeve.
Rreth një muaj më parë, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikoi Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Deri tani parlamentet e Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Senati i SHBA-ve, kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO.
(a.s/Balkanweb/INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›