E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BEJRUT – Liban-BB marrëveshje kredie prej 250 milionë dollarësh në sektorin energjetik

BEJRUT, 24 prill /ATSH-DPA/- Ministri libanez i Financave, Yassine Jaber nënshkroi një marrëveshje kredie prej 250 milionë dollarësh me Bankën Botërore (BB), që synon të zbusë krizën e gjatë të energjisë elektrike në Liban, tha sot ministra në një deklaratë.

“Nënshkrimi u bë gjatë takimeve të nivelit të lartë në Uashington të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore”, thuhet në deklaratë.

Jaber njoftoi gjithashtu se Libani ka siguruar miratimin paraprak për të rritur vlerën e kësaj kredie në 400 milionë dollarë, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Ousama Wieden.

Qeveria libaneze nuk ka arritur t’i sigurojë vendit një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë dekadave të fundit.

Pjesa më e madhe e vendit mbështetet te gjeneratorët me naftë pasi energjia nga kompania shtetërore shpërndahet në intervale të parregullta dhe ndonjëherë është e disponueshme vetëm për dy orë në ditë.

Kredia prej 250 milionë dollarësh do të fokusohet në riparimin e sektorit të energjisë elektrike, me theks në rehabilitimin e rrjeteve të transmetimit dhe përmirësimin e besueshmërisë së shërbimit.

Ky komponent është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të reformës së energjisë elektrike që përfshin gjithashtu ndryshime strukturore të qeverisjes dhe investime në infrastrukturën e energjisë së pastër.

Kredia është pjesë e një programi më të gjerë rindërtimi që pritet të arrijë në 1 miliard dollarë, i cili do të financohet nëpërmjet ndihmës shtesë ndërkombëtare.

Kreditë do të ofrohen me kushte koncesionare, me afate shlyerje deri në 50 vjet.

Jaber theksoi se këto fonde do të mbështesin axhendën e rimëkëmbjes dhe reformës së Libanit, duke theksuar momentin e fundit legjislativ dhe angazhimin ndërkombëtar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›