BEJRUT – Libani: Negociatat me Izraelin do të jenë ekskluzivisht dypalëshe

BEJRUT, 20 prill /ATSH-DPA/- Libani do të zhvillojë negociata të ardhshme dypalëshe me Izraelin ekskluzivisht, përmes një delegacioni të udhëhequr nga ish-ambasadori në Uashington Simon Karam, tha sot presidenti libanez, Joseph Aoun.
“Asnjë palë tjetër nuk do të marrë pjesë në proces ose nuk do të përfaqësojë Libanin”, tha Aoun në Bejrut.
Sipas vëzhguesve, deklaratat e Aoun kishin për qëllim të parandalonin çdo përpjekje të mundshme nga Irani për të negociuar në emër të qeverisë libaneze.
“Vendimi për të negociuar synon t’i japë fund armiqësive, pushtimit izraelit të territoreve jugore dhe të rivendosë ushtrinë në kufijtë jugorë të njohur ndërkombëtarisht”, tha Aoun.
Aoun deklaroi gjithashtu se presidenti i SHBA-së, Donald Trump në një telefonatë të fundit shprehu mirëkuptim për kërkesat libaneze dhe ndërhyri për të lehtësuar një armëpushim Izrael-Liban, për të hapur rrugën për negociata.
“Kontaktet me Uashingtonin do të vazhdojnë me qëllim ruajtjen e armëpushimit dhe mundësimin e fillimit të bisedimeve”, tha Aoun.
Presidenti libanez theksoi se negociatat e ardhshme duhet të jenë qartësisht të ndara nga diskutimet e tjera.
Libani, kohët e fundit është distancuar ndjeshëm nga ndikimi iranian dhe synon të arrijë një armëpushim të qëndrueshëm të pavarur nga lufta në Iran.
Një armëpushim midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi të premten në mbrëmje. Megjithatë, që atëherë kanë ndodhur incidente të reja.
Armëpushimi erdhi pas më shumë se gjashtë javësh luftimesh midis milicisë Hezbollah të Libanit dhe Izraelit. Qeveria libaneze dhe ushtria e saj nuk janë palë në konflikt. //a.i/