E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes aktori amerikan Patrick Muldoon në moshën 57-vjeçare

LOS ANXHELOS, 20 prill /ATSH-ANSA/- Aktori i njohur amerikan Patrick Muldoon ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak.

I lindur në Kaliforni, Patrick Muldoon e nisi karrierën në televizion dhe u bë i njohur fillimisht me rolin e tij në serialin “The Days of Our Lives”, që i hapi rrugën drejt projekteve më të mëdha në ekranin e madh dhe të vogël.

Popullaritetin më të madh e arriti me rolin e Richard Hart në serialin “Melrose Place”, ku u shqua për interpretimin e një personazhi kompleks dhe shpesh kontradiktor.

Paralelisht, ai ndërtoi një karrierë të qëndrueshme edhe në kinema.

Ndër filmat më të njohur ku ka interpretuar përfshihen “Starship Troopers” (1997), “Stigmata” (1999) dhe “Marlowe” (2022), duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur dhe duke u bërë pjesë e produksioneve të rëndësishme hollivudiane.

Gjatë karrierës së tij, Muldoon u shfaq edhe në një sërë serialesh televizive dhe filmash televizivë, duke u dalluar për shkathtësinë në role dramatike dhe aksion.

Përveç aktrimit, ai punoi edhe si producent dhe ishte aktiv në industrinë e filmit për disa dekada.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar reagime dhe homazhe nga kolegë dhe fansa, të cilët e kujtojnë për rolet e tij ikonike dhe kontributin në televizion dhe kinema. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›