BERLIN – Wadephul i bën thirrje Iranit të lejojë inspektorët bërthamore të OKB-së

BERLIN, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i bëri sot thirrje Iranit të lejojë inspektorët e mbështetur nga OKB-ja të kenë qasje të drejtpërdrejtë në objektet e tij bërthamore, mes mosmarrëveshjeve mbi dyshimet se vendi po punon për armë bërthamore.
“Qeveria gjermane pret që Irani të ndërtojë besim”, tha Wadephul në parlament pas një bisede telefonike me homologët e tij britanikë dhe francezë.
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, të njohura si E3 dhe bashkë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të Vjenës të vitit 2015, kanë nisur së fundmi procesin e rivendosjes së sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit, me synimin për të rritur presionin diplomatik mbi Teheranin.
Wadephul i kërkoi Teheranit të “lejojë më në fund inspektime të plota nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në terren në Iran, në mënyrë që të verifikohet se nuk ka më programe pasurimi \[të uraniumit]”.
Sipas ministrit, Irani ka bërë “oferta fillestare” për të diskutuar hapat e ardhshëm, por Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe konsiderojnë të domosdoshme të sigurojnë që Irani të mos ketë kurrë në zotërim armë bërthamore.
“Nëse Irani bëhet me armë bërthamore, kjo do të shkaktojë një garë të re armatimi në rajonin e Gjirit”, paralajmëroi ai. “Duhet ta parandalojmë këtë me çdo kusht”.
Në qershor, Izraeli sulmoi Iranin, duke thënë se veprimi synonte të pengonte vendin nga ndërtimi i një bombe bërthamore. Një javë më pas, SHBA-ja iu bashkua luftës së shkurtër duke bombarduar objektet bërthamore iraniane.
Perëndimi e ka akuzuar prej vitesh Iranin për përpjekje drejt armëve bërthamore – akuza që Teherani i mohon. /Ad.Ab./