E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpëtoi dy fëmijë nga mbytja, shqiptarit Goka i jepet nënshtetësia greke nga Mitsotakis

ATSHINË, 17 shtator/ATSH/ Ledian Goka, shqiptari i cili u shndërrua në hero në Greqi, pasi shpëtoi nga mbytja dy fëmijë të vegjël në ujërat e rrëmbyeshme të lumit Arachthos në muajin qershor 2025, ka marrë nënshtetësinë greke.

Atij iu dha nënshtetësia greke nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në prani të ministrit të Brendshëm, Thodoris Livanios dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Shtetësisë, Dimitris Karnavos gjatë një ceremonie të veçantë të mbajtur në Rezidencën Maximos.

Kryeministri grek e ka falenderuar publikisht shqiptarin Goka për aktin heroik.

“Ju falënderojmë për atë që keni bërë, meritoni edhe më shumë”, theksoi Kryeministri grek gjatë kësaj ceremonie publikuar në mediat greke si dhe në faqen zyrtare të Qeverisë së Greqisë.

“Ledian Goka në qershor të vitit 2025 rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar nga mbytja dy fëmijë në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Arachthos. Një akt vetëmohimi që është shembull i humanizimit dhe heroizmit. Sot atij iu dha nënshtetësia greke. I jemi mirënjohës!”, ka shkruar Mitsotakis edhe në rrjetet sociale .

Ledian Goga nga Berati, tashmë i martuar dhe me dy fëmijë, emigroi drejt Greqisë 24 vite më parë, kur ishte vetëm 17 vjeç.

Ai tërhoqi vëmendjen e medias greke për gjestin sublim dhe që pa u menduar dy herë, u zhyt në lumin Arachthos për të shpëtuar dy të mitur.

“Këmba e tij ishte e thyer gjatë përpjekjes ekstreme për të nxjerrë fëmijët nga fundi i lumit, në ujëra të thella dhe të turbullta, plot me degë, baltë dhe frikë”, shkruanin mediat greke në qershor të 2025.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›