BERZH vlerëson klimën e favorshme për biznesin në Shqipëri

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në Londër një takim me Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zotin Jean Lamierre dhe stafin e tij.
Kryeministri Berisha falenderoi Zotin Lamierre për kontributin e çmuar dhe mbështetjen që BERZH ka dhënë dhe jep për zhvillimin e Shqipërisë në shumë fusha, si dhe shprehu bindjen për rritjen e nivelit të bashkëpunimit në të ardhmen.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Lamierre me zhvilimet më të fundit dhe ecurinë e disa projekteve të mëdha, si dhe me arritjet e Shqipërisë në ekonomi dhe në zbatimin e reformave në luftën kundër korrupsionit, në infrastrukturë dhe në tregun e energjisë. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se hapa të rëndësishme janë bërë krijimin e një klime të përshtatshme për biznesin.
Në këtë kuadër, Kryeminstri Berisha kërkoi mbështetjen e BERZH-it me investime në sektorin privat, në energji, në turizëm, në infrastrukturë etj..
Në vazhdim, Kryeministri Berisha vuri theksin mbi rëndësinë e investimeve në portet shqiptare sidomos në atë të Durrësit dhe Shëngjinit që janë ura të rëndësishme të transportit të mallrave.
Nga ana i tij, Presidenti i BERZH-it u shpreh se kjo banke do të shohë me përparësi tre projekte të rëndësishme me tre shoqëri të mëdha të prodhimit të çimentos, investime këto që synojnë të bëjnë kalimin e Shqipërisë nga një vend importi në një vend eksporti në këtë fushë, duke u bazuar edhe në faktin se ka një bum të ndërtimeve në Shqipëri.
Zoti Lamierre tregoi interes të veçantë për përpjekjet e bëra në sektorin energjitik me synim diversifikimin e burimeve të energjisë, për të eleminuar varësinë nga burimet ujore.
Gjithashtu Presidenti I BERZH-it, zoti Lamierre u shpreh se parashikohen të zbatohen disa projekte të rëndësishme për transmetimin e energjisë, nëpërmjet linjave të transmetimit që kalojnë nga Kosova, Maqedonia dhe Bullgaria, drejt Shqipërisë.
Gjithashtu, zoti Lamierre tha në vazhdim se ka disa projekte për financime me bashkitë, si ai për unazën e Tiranës, me ujësjellesin si dhe po studiohet problemi i përpunimit të plehrave në qytetet më të mëdha.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Lamierre të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga Presidenti i BERZH.