E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës, zgjidhja e dëshiruar për politikën britanike

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Londër, një takim me kryetarin e Grupit Gjithëpartiak Parlamentar Britani-Shqipëri, zotin John Austin dhe delegacionin parlamentar britanik që do të vizitojë së shpejti Shqipërinë. 

Kryeministri Berisha dhe zoti Austin diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si dhe për zhvillime të ndryshme në Shqipëri përfshi këtu rolin dhe lirinë e medias, proceset zgjedhore dhe reformat në fusha të ndryshme, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar.

Kryeministri Berisha dhe parlamentarët britanikë diskutuan edhe për çështjen e Kosovës, për të cilën ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e duhur është pavarësia. Delegacioni parlamentar britanik vlerësoi se pavarësia e Kosovës është jo vetëm zgjidhja e duhur, por edhe zgjidhja më e dëshiruar nga politika britanike.

Kryeministri Berisha dhe anëtarët e Grupit Parlamentar Britani-Shqipëri diskutuan dhe për kontributin që Forcat e Armatosura Shqiptare kanë dhënë në misionet paqeruajtëse përkrah forcave të NATO-s. Parlamentarët britanikë falënderuan Kryeministrin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan.

Grupi gjithëpartiak Parlamentar britanik shprehu vlerësime për arritjet e Shqipërisë dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Bashkëbiseduesit u ndalën në potencialet e mëdha që ka Shqipëria për tërheqjen e investitorëve britanikë në fushën energjetike, turizëm dhe prodhimet artizanale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›