Fjala e Zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa gjatë prezantimit me donatorët të draft-strategjisë antikorrupsion
Të nderuar Ambasadorë,
Përfaqësues të rganizatave partnere,
Dëshiroj t’ju falënderoj, jo vetëm për prezencën tuaj në këtë takim, ku ne do të diskutojmë strategjinë ndër sektoriale për parandalimin, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente, por edhe për mbështetjen që ju i keni dhënë qeverisë shqiptare në këtë luftë kundër korrupsionit.
Në ditët tona, tema e luftës kundër korrupsionit është një temë e diskutueshme në çdo vend të botës, është një problem i cili nuk mund të zgjidhet vetëm me diskutime apo me kërkime akademike, por është një problem që ka nevojë për aksione konkrete. Fatkeqësisht, korrupsioni është identifikuar tashmë si një nga pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Ai është një fenomen i cili pengon zhvillimin, duke penguar zbatimin e ligjit dhe duke dobësuar themelet e institucioneve shtetërore, nga të cilat varet dhe zhvillimi ekonomik i një vendi.
E ndërgjegjshme për rreziqet e korrupsionit dhe për vështirësitë e luftës kundër këtij fenomeni, qeveria shqiptare e shpalli luftën kundër tij si një prioritet jetik të saj. Shpresa dhe besimi se ne kemi vullnetin, seriozitetin dhe aftësinë për të ndarë politikën dhe administratën e vendit nga korrupsioni, ka qenë një nga motivet përcaktuese për qytetarët shqiptarë, që solli ndryshimin e qeverisjes dy vjet më parë. Prandaj për ne lufta kundër këtij fenomeni është dhe do të jetë një sfidë parësore.
Deri më sot, qeveria jonë ka treguar vullnet të plotë, ka treguar se di të vendosë prioritete, ka treguar se di të marrë masa emergjente apo preventive për të ndaluar korrupsionin, për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe qytetarëve, një marrëdhënie e cila në themel ka pasur seriozitetin tonë për të luftuar korrupsionin. Indeksi i perceptimit të korrupsionit, i publikuar së fundi nga Transparency International, ku vendi ynë shënon një rritje në renditje me 0.5 pikë në 2 vite, apo vrojtimi i kryer nga USAID për vitin 2006, ku dallohet qartë një ulje e nivelit të korrupsionit, e cila për disa sektorë shkon deri në 10 për qind, janë tregues të përpjekjeve tona reale.
Ne jemi të ndërgjegjshëm gjithsesi që këta tregues nuk janë të mjaftueshëm, krahasuar me atë ku ne duhet të jemi. Ne si qeveri, të paktën në këtë komponent, pra në luftën kundër korrupsionit, duhet të krahasohemi me vetveten dhe jo me qeveritë e mëparshme. Prandaj, ndërtimi një strategjie afatgjatë është një domosdoshmëri për të siguruar që progresi i bërë do të vazhdojë të jetë në të njëjtin kah, me ritme edhe më të mira dhe, çfarë është më e rëndësishmja, nuk do të bëhet me një mandat qeverisës.
Pikërisht përpjekjet e e qeverisë për të lëvizur drejt qeverisjes elektronike, E-government janë përpjekje të qarta të kësaj lufte. Sot, falë bashkëpunimit me qeverinë amerikane, në kuadër të projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit, ne kemi arritur të kemi një ligj krejt të ri për prokurimet publike dhe kam kënaqësinë t’ju njoftoj se këtë muaj kanë filluar prokurimet publike on-line. Po ashtu, jo më larg se një muaj më pare, është hapur Qendra Kombëtare e Rregjistrimit të biznesit, në Tiranë, e cila është pasuar me disa qendra të reja në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Shkodër, Elbasan, etj. Tashmë më rregjistrimin e një biznesi duhet një sportel i vetëm, një ditë e vetme dhe më pas “një euro” Një ditë më parë u bë përurimi i godinës së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njëkohësisht u bë edhe përurimi i fillimit të taksave elektronike për taksën e biznesit të madh.
Do të dëshiroja të falënderoja edhe Bankën Botërore, e cila ka qenë e gatshme për të konsultuar me qeverinë shqiptare strategjinë e saj antikorrupsion dhe besoj se nga ky bashkëpunim dypalësh kanë përfituar strategjitë respektive.
Ndertimi i nje strategjie të tillë nuk është i lehtë, pasi është hera e parë që administrata shqiptare perfshihet ne nje ushtrim të tillë, por gjithsesi jemi përpjekur që të përfshijmë në këtë strategji objektiva të qartë, për të arritur standardet më të larta ndërkombëtare të luftës kundër korupsionit .
Ju dhe zyrat tuaja kanë qenë angazhuar edhe në hartimin e strategjive të tjera të luftës kundër korrupsionit, por në këtë strategji ka nje ndryshim që besoj është vënë re edhe ne frymën e kësaj qeverie, ky ndryshim është edhe thelbi i filozofisë sonë. Nuk mund të luftohet korrupsioni vetëm me masa parandaluese, rëndësia e të cilave nuk vihet në diskutim, por, si në gjithë sjelljen tonë deri tani, edhe në këtë strategji ne kombinojmë dy drejtime; parandalimin me zbulimin, hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Ky është dallimi kryesor nga sa është thënë e diskutuar më parë për këtë fenomen.
Kjo strategji është hartuar nga Grupi i punës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit dhe i kryesuar prej meje. Në këtë grup kanë marrë pjesë zëvendësministra, drejtues të institucioneve qendrore dhe janë ftuar dhe kanë kontribuar edhe specialistë të institucioneve që kanë pasur përvojë edhe në strategjitë e mëparshme. Kjo strategji e cila është prezantuar dhe për të cilën janë kërkuar edhe mendimet tuaja, si dhe angazhimi juaj mbështetës në zbatimin e tij, është diskutuar më parë ehe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të medieve, me komunitetin e biznesit, vërejtjet e të cilëve janë të pasqyruara në draftin që po ju prezantohet juve sot.
Zbatimi i kësaj strategjie në të dy komponentët e saj themelore kërkon rritjen e konsolidimin e bashkëpunimit e bashkërendimit ndërmjet aktorëve, jo vetëm brenda administratës publike dhe agjencive të specializuara shtetërore, por edhe ndërmjet aktorëve shtetërorë dhe shoqërisë civile, biznesit, medies dhe publikut në përgjithësi.
Unë do të theksoj disa nga aspektet kryesore të strategjisë, të cilat janë:
Reformat ligjore parandaluese që synojnë reduktimin e hapësirave për korrupsion, rritjen e transparencës, si dhe përfshirjen e shoqërisë dhe përpjekjet për edukim dhe krijimin e një kulture antikorupsion.
Krijimi i hapësirave ligjore për të vepruar, si dhe forcimi i kapaciteteve të administratës së institucioneve të specializuara për të garantuar nje hetim të shpejtë, serioz dhe procedurial të çdo rasti të dyshuar në mënyrë që të zbulohen dhe ndëshkohen nga drejtësia të gjithë abuzuesit me postin dhe paratë publike.
Ky dokument ka nevojë edhe për komentet, vërejtjet, sugjerimet dhe ndryshimet që ju do të propozoni, por veçanërisht ka nevojë për mbështetjen tuaj për të bërë të mundur zbatimin e strategjisë së propozuar. Mund të ketë shumë çështje që do të duhet të diskutohen, sidomos përcaktimi i afateve dhe kostimi sa më real i veprimeve që propozohen nga kjo strategji, të cilat do të bëjnë të mundur identifikimin e mundësive për sigurimin e burimeve njerëzore dhe financiare për implementimin me sukses të strategjisë.
Duke e konsideruar të domosdoshëm rolin dhe kontributin tuaj për përmirësimin e dokumentit strategjik për të cilin jemi mbledhur, por sidomos gjatë zbatimit, monitorimit të vazhdueshëm dhe objektiv të tij, gjej rastin t’ju falënderoj për ndihmën dhe mbështetjen e paçmueshme që i është dhënë vendit tonë bujarisht nga paratë e taksapaguesve të vendeve tuaja.
Ju faleminderit”