Nënshkrimi i MSA nga parlamenti britanik, simbol i mbështetjes së plotë të Britanisë së Madhe për reformat në Shqipëri dhe integrimin e saj në NATO e BE

Kryeministri Berisha u prit sot nga Sekretari i Jashtëm Britanik, Zoti David Miliband, me të cilin bisedoi rreth përparimit të reformave në Shqipëri, bashkëpunimit dypalësh, integrimit të Shqipërisë në NATO e Bashkimin Europian, si dhe situatës në rajon.
Kryeministri Berisha e falënderoi Sekretarin Miliband për ratifikimin nga qeveria dhe parlamenti britanik të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Sekretari Miliband u shpreh se ky ratifikim, përveçse një akt parlamentar, është një simbol i mbështetjes së plotë të Britanisë së Madhe për integrimin e Shqipërisë si pjesë e familjes Europiane, anëtarësimin e saj në institucionet euro-atlantike, si dhe e dëshirës për thellimin e bashkëpunimit dypalësh midis Britanisë dhe Shqipërisë.
Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha dhe Sekretari Miliband diskutuan për procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të reformave të qeverisë dhe të sukseseve të arritura veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin ekonomik. Kryeministri u ndal në reformat e ndërmarra nga qeveria për Forcat e Armatosura, duke theksuar në mënyrë të veçantë partneritetin besnik të Shqipërisë me NATO-n, sidomos mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë operacioneve të NATO-s, si përmes vënies në dispozicion të logjistikës së saj portuale dhe aeroportuale, ashtu edhe përmes angazhimit të njësive shqiptare në kuadër të operacioneve të NATO-s në Bosnje dhe Afganistan.
Sekretari Miliband shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e Britanisë dhe të NATO-s për bashkëpunimin e Shqipërisë me Aleancën, duke theksuar se trimëria dhe angazhimi i ushtarëve shqiptarë gëzojnë mirënjohjen e NATO-s. Ai përshëndeti rezultatet e reformave të qeverisë shqiptare, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë arritjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si vendimtare për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe zhvillimin e vendit.
Sekretari Miliband u shpreh se muajt që vinë janë shumë të rëndësishëm për reformat që Shqipëria duhet të ndërmarrë në këtë kuadër, përfshi reformat në sistemin e drejtësisë dhe reformën elektorale dhe se qeveria britanike është e gatshme të ofrojë mbështetje të plotë për realizmin e tyre.
Duke folur për zhvillimet politike në vend Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria gëzon stabilitet të plotë dhe të qëndrueshëm politik, dëshmi e të cilës janë ndërrimi normal i pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2005, si dhe respektimi i ligjit dhe standardeve gjatë zgjedhjeve të fundit lokale dhe zgjedhjes së Presidentit.
Kryeministri Berisha dhe Sekretari Miliband diskutuan gjithashtu për situatën në rajon dhe veçanërisht zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ata shprehën mbështetjen e qeverive të tyre për planin Ahtisari. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri theksoi se projekti i Presidentit Ahtisari është projekti më i mirë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, pasi ai siguron, nga njëra ana, standardet më të larta që ka pasur ndonjë vend për minoritetet dhe, nga ana tjetër, respekton vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës për pavarësi. Duke u shprehur për rëndësinë e arritjes së zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës, Kryeministri Berisha dhe Sekretari Miliband theksuan gjithashtu rëndësinë që ka angazhimi serioz i Prishtinës dhe Beogradit në negociatat e ndërmarra nga Trojka.
Kryeministri Berisha e ftoi Sekretarin e Jashtëm britanik, zotin Miliband, për një vizitë në Shqipëri, ftesë të cilën ai e pranoi më kënaqësi.