E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi britanik, interes të madh për investime në Shqipëri

Në vijim të vizitës së tij në Londër, Kryeministri Berisha mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të biznesit britanik.

Në këtë tryezë merrnin pjesë përfaqësues të biznesit vendas, të përzgjedhur nga Agjencia Kombëtare Britanike për Investimet, përfaqësues të bankave më të mëdha, si dhe përfaqësues të mediave britanike.

Përfaqësuesit e biznesit dhe bankave britanike treguan mjaft interes për sektorin energjitik, për mënyrën e balancimit të prodhimit të energjisë në Shqipëri, ndërmjet burimeve ujore dhe atyre termike, si dhe për shfrytëzimin e potencialeve turistike malore. Një aspekt tjetër për të cilin pjesëmarrësit paraqitën interes ishte dhe hapja e zyrave të avokaturës në Shqipëri.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i njohu të  pranishmit me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të çuar më tej reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë ekonomike, si dhe me masat e ndërmarra në këtë drejtim në ndihmë të biznesit, si përgjysmimi I taksave për biznesin e vogël, krijimi i "ONE STOP SHOP", dixhitalizimi i procedurave, etj., si dhe u shpreh se Shqipëria është e hapur për investime sidomos në sektorin e turizmit, në infrastrukturë, në zhvillimin e artizanatit, në sektorin e energjise etj.

Një vend të rëndësishëm në fjalën e tij, Kryeministri i kushtoi përpjekjeve dhe arritjeve të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit në të gjitha sferat.

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha edhe në fushën e shfrytëzimit të mineraleve dhe të pasurive hidrike si dhe në prodhimin e çimentos.

Ju ftoj të investoni në Shqipëri dhe ju garantoj se qeveria shqiptare do të jetë pas jush për të mbështetur sukseset tuaja, - tha kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›