E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria gjermane i akordon Shqipërisë, për vitin e ardhshëm, mbështetjen financiare me vlerë 20 milion euro

- Nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit Financiar dhe Teknik mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane

Sot në mesditë, u nënshkrua, në Këshillin e Ministrave, Protokolli i Bashkëpunimit Financiar dhe Teknik midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë federale të Gjermanisë. Për palën shqiptare, Protokolli u nënshkrua nga zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu dhe për palën gjermane nga kryetari i delegacionit të Ministrisë për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim Leo Kreuz. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Shqipëri Bernd Borchardt.

Qeveria gjermane angazhohet t’i japë qeverisë shqiptare për vitin e ardhshëm mbështetje të mëtejshme financiare në vlerën e 20 milion euro, ku 17.5 milion do t’i kalojnë fushës së bashkëpunimit financiar dhe 2.5 milion euro për bashkëpunimin teknik.

Duke theksuar se qeveria gjermane ka qenë ndër qeveritë e para që i ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejt Shqipërisë në fushën e zhvillimit ekonomik, zëvendësministri Shehu vlerësoi se kjo ndihmë shkon në 700 milion euro.

Ambasadori Borchardt u shpreh se nënshkrimi i këtij Protokolli konfirmon bashkëpunimin e suksesshëm gjatë 19 viteve të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Projektet përqendrohen në fushën e energjetikës, të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve dhe asaj ekonomike. Në Protokoll janë miratuar projekte të reja mbi zgjerimin e sistemit të kanalizimeve në Korçë, për furnizimin me ujë në zonat rurale dhe projekte mbi arsimin profesional në zonën verilindore të Shqipërisë. Gjithashtu në Protokoll parashikohen mjetet financiare të mëtejshme edhe për projektet në zhvillim si ai për ndërtimin e linjës së transmisionit unazë 110 kV.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendësministri Shehu dhe ambasadori Borchardt deklaruan për mediat:

Zëvendësministri i Financave Shehu: Sapo nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar dhe Teknik me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, e cila ishte rezultat i negocimeve të nisura paraprakisht në fillim të këtij viti dhe që përfunduan brenda këtyre dy ditëve. Ne jemi shumë të kënaqur, sepse kemi gjetur mirëkuptim të plotë për të gjitha çështjet e biseduara dhe negociuara, kemi pasur diskutime shumë të hapura dhe, ndoshta për herë të parë, pala gjermane pa një strategji të qartë, e cila u parashtrua dhe u diskutua. Gjithashtu gjetëm mirëkuptimin e plotë nga ana e palës gjermane, për të mbështetur këtë strategji dhe këto prioritete të qeverisë. Marrëveshja ishte produkt dhe rezultat i negociatave reale dhe praktikisht të dy qeveritë u mirëkuptuan dhe kanë bashkëpunuar si partnerë në këtë proces. Qeveria gjermane, nëpërmjet instrumenteve të ndryshme të financimit, ka kontribuar në forcimin e këtij partneriteti.

Ne i parashtruam palës gjermane planet dhe ecurinë që qeveria shqiptare ka pasur në zbatimin e procesit të sistemit të planifikimit të integruar. Në këtë sistem, strategjitë janë prioritare dhe të gjitha politikat dhe programet ekonomike, financiare dhe të zhvillimit burojnë nga këto strategji.

Kjo marrëveshje është marrëveshje e nënshkruar në vazhdën e të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit që kemi pasur me qeverinë gjermane. Në të konfirmohen të gjitha projektet që janë në vazhdim, si dhe kemi diskutuar dhe rënë dakord për të marrë masa, sidomos nga ana e palës shqiptare, për të përshpejtuar zbatimin e projekteve që janë në proces. Njëkohësisht kemi rënë dakord për futjen e projekteve dhe financimeve të reja.

Dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj, në emër të qeverisë shqiptare, ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, por njëkohësisht edhe zotin Kreuz, i cili udhëhoqi këto negociata, për bashkëpunimin e frytshëm që qeveria shqiptare ka pasur vazhdimisht me Republikën Federale të Gjermanisë dhe për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Qeveria gjermane ka qenë ndër qeveritë e para që i ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejt jo vetëm humanitare, por më shumë në fushën e zhvillimit ekonomik, qeverisë së Shqipërisë dhe financimet që qeveria gjermane i ka dhënë Shqipërisë llogariten në 700 milion euro. Qeveria gjermane është qeveria që ka financimin më të madh në Shqipëri, krahasuar me shtete e tjera. Por zoti Borchard na dha dje edhe statistika të tjera, që tregojnë se ne jemi përfituesit më të mëdhenj të financimeve gjermane për frymë, krahasuar me të gjitha vendet ku qeveria gjermane jep financime.

Edhe me marrëveshjen, që sapo nënshkruam, ne vazhdojmë të kemi financimet gjermane kryesisht në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe të energjisë. Me këtë marrëveshje, ne konfirmuam këto projekte, ku përveç atyre ekzistuese, ne ramë dakord që do të shtojmë edhe një projekt për ujësjellësit në komunitetet lokale të vogla dhe projektin e qytetit të Korçës. Po kështu edhe për projekte të tjera siç janë ai i Pogradecit. Me këtë rast, dua të theksoj se Korça dhe Pogradeci janë dy histori suksesi në kuadrin e të gjitha projekteve të mbështetura nga KFW. Ndërkohë ne kemi në proces edhe projekte të mëdha të energjisë, sidomos projekti i rrjetit të shpërndarjes Shqipëri-Mali i Zi. Në këtë marrëveshje, krahas projekteve e financimeve të konfirmuara, të dy qeveritë ranë dakord për bashkëpunimin në projekte të mëdha në fushën energjetike, ku me prioritet do të shihen linjat që nga Vlora deri në Sarandë dhe më tej edhe lidhja me Kosovën. Këto do të jenë dy prioritet, për të cilat ne do të bashkëpunojmë në të ardhmen.

Ky është një proces ciklik që do të vazhdojë me negocimet në 6 muajt apo 1 vit më vonë, pasi në këtë proces ne analizojmë projektet në vazhdim dhe njëkohësisht bisedojmë dhe hapim mundësi të reja të bashkëpunimit.

Duke përfunduar dua t’i jap fjalën ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë dhe t’i rikonfirmoj gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të qenë një partner i qëndrueshëm në të gjitha fushat e bashkëpunimit që ne kemi e do të kemi në të ardhmen.

Ambasadori Borchardt: Së pari, dua të falënderoj kolegët shqiptarë dhe gjermanë për përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm të këtyre bisedimeve. Ne kemi shënuar një rezultat të mirë. Gjermania do t’i vërë në dispozicion Shqipërisë për vitin e ardhshëm rreth 20 milion euro në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik dhe nga këto, 19.5 milion janë parashikuar për projektet e përcaktuara. Me këtë, ne do të vazhdojmë 19 vitet e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve. Ambasadorët pëlqejnë të flasin për rekordet dhe këtu kemi të bëjmë me dy rekorde: Shqipëria është vendi kryesor që merr ndihmë ekonomike për frymë dhe kjo do të thotë se nuk ka asnjë vend tjetër në botë të cilit ne i kemi dhënë mjete financiare për frymë të popullsisë. Zoti ministër na ka informuar se edhe nga pikëpamja shqiptare ne jemi donatori më i rëndësishëm.

Projektet e reja përqendrohen në fushën e energjetikës, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve dhe ajo ekonomike. Përsa i përket furnizimit me ujë ne do të vazhdojmë projektin në Korçë dhe zonat rurale. Në fushën e energjetikës, së shpejti do të fillojmë ndërtimin e një linje ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo do të bëjë të mundur importimin e më shumë energji elektrike nga Shqipëria. Përveç kësaj, kjo linjë do të krijojë një lidhje më të mirë midis Shqipërisë dhe rrjetit evropian të energjisë. Një linjë tjetër, e cila do të ndërtohet midis Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i shërbejë po këtij qëllimi. Në fushën e mbështetjes ekonomike, ne do të vazhdojmë të mbështesim arsimin profesional. Në fushën sociale, për të cilën unë personalisht kam interes të veçantë, ne dëshirojmë të vazhdojmë  këshillimin në fushën e shëndetësisë, si dhe ndihmën për personat me aftësi të kufizuar.  

Aktualisht ne jemi duke festuar 20 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Gëzohem veçanërisht për faktin që ne kemi arritur t’i zhvillojmë këto bisedime brenda kuadrit të aktiviteteve të këtij përvjetori. Krahas konferencës ekonomike, që do të zhvillohet javën e ardhshme dhe aktiviteteve të shumta në fushën kulturore, kjo pasqyron tërësinë e marrëdhënieve tona.

Pyetje: Zoti ambasador, ju thatë se ndihma ekonomike e Gjermanisë për Shqipërinë është më e larta që qeveria gjermane ka dhënë në krahasim me vendet e tjera. Përse kjo preferencë për Shqipërinë?

Ambasadori Borchardt: Unë mendoj se për këtë ka dy arsye të rëndësishme. Së pari, bashkëpunimi ekonomik ka filluar që në vitin 1988, por një arsye edhe më e rëndësishme është se Shqipëria është një spirancë e rëndësishme stabiliteti në rajon. Por ka edhe një arsye të tretë, që janë simpatitë tradicionale mes dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›