BERZH: Rritja ekonomike 1.4 %
Nertila Maho
Zbehet optimizmi i BERZH për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë 2010-ës. Nëse në raportin e parë u parashikua një rritje 2 për qind e GDP-së, në raportin e publikuar dje, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka korrigjuar veten, duke përcaktuar një rritje 1.4 për qind të GDP-së. Duke e krahasuar Shqipërinë me ecurinë e vendeve të tjera të rajonit, theksohet se Maqedonia dhe Serbia do të jenë vendet me zhvillimin ekonomik më të madh. “Në Ballkanin Perëndimor nivelet më të mëdha të rritjes mbi 2 për qind, me shumë mundësi do të gjejnë vend në Maqedoni dhe në Serbi. Të dyja këto vende ndihmohen nga një rikuperim në çmimet e metaleve që ndihmojnë industritë kryesore. Ndërsa Shqipëria, një tjetër vend i rajonit që arriti gjatë 2009-ës të kishte një rritje ekonomike pozitive, pritet të ketë një rritje më të moderuar për 2010-ën, duke reflektuar kështu impaktin e përmbytjeve të fundit, një ulje tek të ardhurat kapitale dhe në remitanca, gjithashtu një rritje të ngadaltë të kreditimit”, thuhet në raport. Sipas BERZH, vendi është veçanërisht i rrezikuar nga kriza greke, pasi shumica e remitancave në Shqipëri vijnë nga emigrantët që jetojnë në këtë shtet fqinj, shumica e të cilëve kanë punë sezonale. Ngadalësimi i rritjes ekonomike për vendin tonë në raport trajtohet sëbashku me një sërë treguesish ekonomikë. Për 2011, BERZH parashikon një rritje ekonomike prej 3.1 për qind. Viti 2010-të në vëzhgimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim paraqitet me një kurbë aspak stabël. Ndarë në tremujore, rritja e GDP-së është mjaft e lëkundur. Për janar-mars, BERZH parashikon një rritje 1.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Tremujori i dytë parashikohet të shënojë një rezultat aspak të mirë, i cili llogaritet negativ në vlerën -2 për qind, po kështu edhe tremujori i tretë, edhe pse me një rënie ekonomike pak më tolerante, ku vlera do të jetë -0.7 për qind e GDP-së. Tremujori i katërt është edhe më optimisti, sipas raportit të BERZH, ku parashikohet një rritje ekonomike pozitive në vlerën 7 për qind. Në përmbledhje të gjithë kësaj, duke e vendosur Shqipërinë në kontekst me gjithë rajonin, BERZH përmes një njoftimi thekson se ekonomia në përgjithësi është ende delikate dhe se rritja do të jetë e ngadaltë, për shkak të një sërë faktorësh.
TREGUESIT sipas BERZH
Raporti i BERZH, i publikuar këto ditë hedh dritë edhe mbi treguesit e tjerë të ekonomisë shqiptare, duke paraqitur sistemin bankar, kreditimin, inflacionin, investimet direkte. BERZH përcaktonte se kreditimi i brendshëm në monedhë të huaj në përqindje të GDP-së, sipas sektorëve që prek është: sektori privat në total 28.5 për qind, korporatat, 18.5 për qind, familjarët 7.4 për qind ndërsa në total 68.5 për qind e kredive janë në monedhë të huaj. Lidhur me sistemin bankar, asetet e tij në total përbëjnë 78.4 për qind të GDP-së, shteti nuk zotëron asnjë aset dhe bankat në pronësi të huaj janë në nivelin 93.6 për qind. Depozitat bankare, sipas të dhënave të fundit të BERZH, zënë 59.9 për qind të GDP-së. Kreditë dhe depozitat për sektorin privat janë në nivelin 63.2 për qind të GDP-së. Ndërkohë BERZH i kushton vëmendje edhe inflacionit. Mesatarja e inflacionit, e cila për vitin 2009 ishte 2.2 për qind, në raport përcaktohet të jetë 2.5 për qind në fund të këtij viti. Të dhënat për balancën fiskale flasin se gjatë 2009-ës, ajo është përkeqësuar dhe nga -5.7 për qind e GDP-së, që ishte gjatë 2008-ës, ajo ka arritur në nivelin -6.9 për qind e GDP-së në fund të 2009-ës. Sa i përket deficitit të llogarisë korrente, raporti i BERZH bën një paraqitje të ecurisë në dy vite, 2008 ku shënohet vlera 15.7 për qind dhe 2009, ku vihet re një ulje me 0.4 për qind. Investimet e huaja direkte për vitin 2009, krahasuar me 2008, sipas BERZH, janë rritur me 0.6 për qind. Vlera e tyre në fund të vitit të kaluar ishte 7.6 për qind e GDP-së.