E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet shpetuar opozita

Tritan Shehu

Shqipërisë dhe demokracisë sonë po i kërcënohet një rrezik real, ndoshta i vetmi rrezik i vërtetë për momentin: të mbetet pa opozitë. Tashmë kjo po bëhet më e qartë çdo ditë që kalon, mbas çdo ngjarje politike. Opozita jonë, PS, lidershipi aktual i saj, u mbërthye për rreth 10 muaj në një luftë të vërtetë revolucionare dhe imagjinare. U anatemuan komisionerët e saj, u tentua të përdorej presioni i rrugës, u jetua nëpërmjet bojkotëve, u ngritën çadra në mes të Tiranë, ku u syrgjynosën deputetë e aktivistë të PS, u organizuan skuadronet e mosbindjes dhe bllokimit të jetës së qytetarëve etj. Pra realisht u përdor një pjesë e madhe e potencialit ideor e strategjik të Guevarës me shokë, për të përmbysur rendin kushtetues dhe për të krijuar diçka të ngjashme me rebelimin e 1997. Përfundimi ishte vetëm dështimi i plotë i kësaj filozofie, si e papajtueshme kjo me standartet e vendit tonë, me vullnetin e njerëzve. Kjo është ana e mirë e kësaj çështje.
Ana e keqe është se e tërë kjo histori po çon në vetë asgjësimin politik të PS, me rrezikun e madh të ngeljes pa opozitë reale në vend. Pikërisht për këtë arsye, unë do të thosha se kryefjala e jona tashmë duhet të jetë: Të shpëtojmë opozitën, duke e shtruar këtë si një detyrë të përgjithshme politike e qytetare. Dhe këtu kërkohet përfshirja e të gjithëve, në radhë të parë e PS vetë, por dhe e mendimit qytetar a politik në përgjithësi, institucioneve e miqve tanë kudo ku ndodhen ata. Kjo shtrohet sot si një urgjencë e vërtetë politike. Në këto ditë besoj se diagnoza politike dhe e pasojave të saj shkatërruese mbi PS është e qartë dhe e pranueshme për të gjithë, edhe për ata, që pak muaj më përpara mund të kishin hezitime. Në të vërtetë kjo dhe u rikonfirmua të premten mbasdite, me cdo gjë që ndodhi në buzë të atyre çadrave “misterioze”, u rikonfirmua nga fjalimet e lidershipit të PS, atë e pranuan dhe ata, që nen një koreografi mistike betoheshin më mirë për vdekje sesa për…??!!
Në këto kushte, sot pikëpyetjet mund të qëndrojnë vetëm te lloji i terapisë, të mjekimit që duhet aplikuar, për të shmangur rrënimin e plotë të opozitës. Dhe këtu mund të ketë përsëri si dikur në diagnozë, edhe perceptime të gabuara.
Në këtë kontekst, së pari dua të them, që shërimi i vërtetë i PS duhet të vijë e mund të vijë vetëm nga vetë PS. E gjitha kjo që po ndodh e ka origjinën brenda saj, është krijuar veçse aty. U tentua më tej të prekej e tërë shoqëria jonë, por nuk u arrit. Patologjia ngeli e kufizuar në gjirin e saj, në disa parti të tjera inekzistente për rreth saj, në 200 të ngujuar në një kamping proteste të dyshimtë, në 300-400 skuadronistë dhe në rreth 3-4 mijë protestues të detyruar apo të paguar. Asgjë më shumë. Pra dhe shërimi duhet parë dhe eshtë veçse një çështje e brendshme e PS, një vetë pastrim i saj. Vetëm një perceptim i tillë do të sjellë një ndryshim pozitiv, të plotë, të thellë, afat gjatë. Unë mendoj se ajo parti, megjithë plagët e mëdha, që ka vetë marrë kohët e fundit, i ka përsëri ato forca të brendshme e të nevojshme për ta bërë realitet këtë. E rëndësishme është që ato të zgjohen, të inkurajohen e stimulohen. Këtu duhet të synojnë dhe të gjitha përpjekjet ndihmuese nga jashtë saj.
Së dyti, dua të theksoj se çdo tentativë për ta përmirësuar këtë të “sëmurë” vetëm me një mjekim paliativ, përkohësisht, do të ishte rruga më e gabuar. çdo taktikë, që do të synonte ta qetësojë “pacientin” në mënyrë aparente dhe për momentin, nuk do të mundte kurrë ta shëronte atë plotësisht. Në realitet, ai nuk do të shërohej e asgjë nuk do të na siguronte se nesër aventurat revolucionare nuk do të përsëriteshin përsëri. Një formë e tillë “zgjidhje” do të dëmtonte rëndë forcat e moderuara, që janë në atë parti. Në kushtet që jemi, ky “pacient” ka nevojë për shërim të plotë, gjë që nuk mund të përjashtojë qoftë dhe kirurgjinë.
Mund të propozohen marrëveshje të ndryshme “kompromisi”, dikush mund të thotë që t’i jipet një shans atij lidershipi për të dalë me “nder” nga tyneli ku është vetë futur etj. Gjë më të gabuar nuk ka. Të gjithë duhet ta kuptojmë qartë, shqiptarë apo të huaj qofshim, se këtu nuk kemi të bëjmë me lodra fëmijësh. Ata që e drejtojnë dhe e futën PS në këtë lojë, duhet të mbajnë qartësisht përgjegjësitë e tyre. Këtu nuk mund të bëhet fjalë për të shpëtuar “fytyrën” e dikujt, tashmë që ajo strategji po shkërmoqet, në radhë të parë se u abandonua nga vetë votuesit e PS. Rëndësi ka “fytyra” e vendit, e ardhmja e tij. Nga ana tjetër, të gjithë ata, që u keq përdorën në këtë histori, në forma nga më të ndryshmet, duhet të jenë të parët për të kërkuar llogari. Kjo është e drejta e detyra e tyre tashmë. Ata që ishin racionale në gjykimet e qëndrimet e tyre, është momenti të vlerësohen. Kjo është e vetmja politikë demokratike e trasparente, veçanërisht meqenëse kemi folur shumë për “transparencë” këto kohë. Cdo mbërtheckë tjetër, apo mekanizëm artificial zgjidhje, nuk do t’i shërbente as PS, as demokracisë shqiptare dhe aq më pak të nesërmes së sigurtë. Vetëm kjo është e vërteta. Dhe e vërteta bazohet mbi ligjet tona, parimet tona, institucionet tona. Këto duhen respektuar e mbrojtur dhe jo “fytyrat” e personave të veçantë. Vetëm e vërteta, e thënë qartë kjo e me zë të lartë, është sot i vetmi mjekim, për të cilin ka nevojë opozita, për të dalë nga kolapsi ku eshtë vetë përfshirë. Jo se unë jam kundër dialogut, lëshimeve, kompromiseve, përkundrazi. Por të gjitha këto kanë kufijtë e tyre, moralin e tyre, normat e tyre, hapësirat ligjore e institucionale. Maxhoranca e ka treguar vazhdimisht e qartësisht, jo vetëm gadishmërinë për të respektuar e zgjeruar hapësirat e opozitës, por dhe koherëncën e saj të plotë në këtë çështje.
Dhe këtu e kam fjalën për të kuptuar, që vendi i dialogut është Parlamenti, institucionet, që modalitet e kompromisit janë të qarta, ato janë ligjet tona, që vendi i ankesave e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve është sistemi i drejtësisë, qoftë deri në Komisionin e Venecias. Këto principe gjejnë vend qartësisht në Deklaratën e Komitetit Presidencial të KiE, që u përbuz nga lideri i opozitës. Respektimi dhe zbatimi i tyre është esencial për vendin, si edhe për të ardhmen e opozitës vetë e daljen e saj realisht nga tuneli ku është futur. Vetëm kjo gjë do të ndihmonte në zhvillimet pozitive brenda PS, për një të ardhme të shëndetshme të saj. Kjo është e vetmja mundësi, që realisht të mund ta shpëtojë opozitën shqiptare nga një shpërbërje e saj, ose nga një tkurje e madhe, nën një radikalizëm të thellë. Unë jam i bindur se kjo është e vetmja formë mjekimi, e cila ka shanse suksesi. Nga ana tjetër, kjo është e vetmja rrugë racionale në mbështetje të demokracisë shqiptare, që nuk mund të lexohet në disa mënyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›